Lidhje

Intervistë me Zëvendësministrin e Brendshëm të Maqedonisë - 2003-09-03


Përfaqësues të qeverisë maqedonase u takuan me autoritetet e komunave veriore për të zgjidhur tensionet e krijuara në këto zona. Në takim morën pjesë edhe deputetë të zonës, si dhe diplomatë perëndimorë. Me këtë rast, Zëri i Amerikës intervistoi Zëvendësministrin e Brendshëm të Maqedonisë, Hazbi Lika, i cili mori pjesë në takim.

Zëri i Amerikës: Zoti Lika, a kanë patur rezultat bisedimet me autoritetet e Kumanovës? A është gjetur një formulë e pranueshme për zgjidhjen e tensioneve?

H. Lika: Deri tani, disa takime që janë bërë në këtë frymë kanë rezultuar të suksesesshme, sepse kanë parandaluar një konflikt eventual, të cilin nuk e dëshiron askush këtu në Maqedoni: as shqiptarët, as maqedonasit, as institucionet e shtetit. Momentalisht, ekziston një gjendje e rëndë, por në këto situata, sigurisht, ka edhe dezinformata, të llojeve të ndryshme. Kështu për shembull, dje kishte një të tillë tek e përditshjma e Kosovës, ”Epoka e re”, një dezinformatë e cila nuk i shërben situatës momentale këtu. Në gazetë thuhej se gjatë ditë së djeshme, në orët e pasdites, në orën 18:30 minuta, ka patur një përpjekje të polisicë speciale të Maqedonisë për t’u futur në një nga fshatrat e Malsisë së Shkupit, në Brez, dhe aty kanë hasur në rezistencë të grupeve të armatosura; po sipas gazetës, dëmi është shkaktuar nga ana e forcave të policisë të Maqedonisë, ka patur shkatërrime një dhe gjoja dy policë të vrarë; mirëpo këto nuk janë të vërteta, nuk ka ndodhur një gjë e tillë në këto vende, ku momentalisht janë përqëndruar forcat e policisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Lika, zyrtarë ndërkombëtarë thonë se në Maqedoni nuk ka krizë dhe gjendja është e qetë, ndërsa autoritetet e Likovës e përshkruajnë gjendjen si shpërthyese. Cili është mendimi juaj?

H. Lika: Ne jemi në mes të informatave të ndryshme, sepse situata ndryshon herëpashere në mënyrë intesive, mirëpo sido që të jetë, policia nuk ka të drejtë të futet nëpër vendbanimet, nuk ka të drejtë të gjuajë, vetëm në rast sulmi, mund të vetëmbrohet, që është diçka normale. Ne, momentalisht, jemi në përpjekje për ta zgjidhur këtë situatë, për ta tejkaluar atë pa pasoja, pa shkuar deri tek mjeti më i fundit, përdorimi i armëve.

Zëri i Amerikës: Sa marrin pjesë policët shqiptarë në operacionet e fundit të Ministrisë së Brendëshme për kapjen e grupeve kriminale, siç i quajnë autoritetet shtetërore të Shkupit?

H. Lika: Deri tani janë angazhuar afër 80 forca shqiptare, që janë edhe prej qyteteve të tjera, nga Tetova, Gostivari dhe vende të tjera; kurse të tjerët janë të Shkupit, ka edhe të Kumanovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Lika, a ka pakënaqësi te popullata vendore në lidhje me veprimet e policisë?

H. Lika: Po, ka pakënaqësi, sepse janë të freskëta ngjarjet e luftës së vitit 2001, kështuqë kanë të drejtë të brengosen se mund të ndodhë edhe këtë radhë një gjë e tillë, mirëpo ne jemi të interesuar që ta shmangim dhe shpresojmë që do të shmanget dhe nuk do të shkojmë deri atje, sa të biem në provokim të një veprimi që ndodhi në këtë incident të policëve para disa ditëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Lika, partia që ju përfaqësoni në qeverinë e koalicionit, Bashkimi Demokratik për Integrim, a e ka mbështetjen e partive të tjera në përpjekjet për të shmangur krizën?

H. Lika: Deri më tani, ka bashkëopunim për të shmangur krizën, megjithatë, një ekip i deputetëve me inicitivën tonë për të zgjidhë këtë problem, ka bërë ftesë të gjihtë deputetëve shqiptarë për t’i vizituar këto rajone dhe si rezultata i kësaj ftese, pati një takim dje në Vaksincë, me qytetarët e Vaksincës, gjithsej 12 deputetë që shkuan, ishin të PPD-së dhe të BDI-së, kurse të PDSh-se, ende nuk i janë përgjigjur kësaj ftese.

XS
SM
MD
LG