Lidhje

Liria e shtypit vazhdon të dobësohet në Rusi - 2003-09-04


Liria e shtypit vazhdon të dobësohet në Rusi. Gazetari rus, German Galkin, u dënua muajin e kaluar me një vit punë të detyruar nën akuzat se kishte fyer dy zëvendës-guvernatorë të rajonit Çeljabinsk. Zoti Galkin është botuesi i gazetës Raboçaja Gazeta dhe ndihmës redaktor i të përditshmes Veçerny Çeljabinsk, të dyja gazeta të opozitës.

Artikujt në fjalë pasqyrojnë shpenzimet e qeverisë rajonale të Çeljabinskut, përfshirë blerjen e makinave të shtrënjta dhe krijimin e një stacioni televiziv pro qeveritar para zgjedhjeve të vitit 2005 për guvernator. Në artikuj bëhet fjalë edhe për një seri atentatesh kundër politikanëve dhe afaristëve vendorë në fillim të viteve 1990.

Ligjet kundër shpifjeve dhe përgojimeve përdoren shpesh si shkak për të shtypur zërin kritik të mjeteve të informimit. Në shkurt të vitit të kaluar, një gjykatë e Moskës gjobiti gaztën Novaja me 30 milionë rubla pasi e gjeti atë fajtore nën akuzat se kishte shpifur kundër zyrtarit të gjykatës së qarkut Krasnador, Aleksandër Çernov. Në një koment të saj, gazeta kishte dënuar atë që ajo e cilësoi si stil luksoz jetese të zotit Çernov.

Aleks Lupis i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se dënimi i zotit Galkin është shenjë e keqe për lirinë e shtypit në Rusi: “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, theksoi zoti Lupis, mendon se dënimi i zotit Galkin duhet përmbysur dhe se parlamenti duhet të shfuqizojë ligjin tejet të vjetëruar të Rusisë kundër shpifjeve.”

“Në një demokraci, tha Frimut Duve, një përfaqësues i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, mbulimi i veprimtarive të zyrtarëve publikë është pjesë e detyrave profesionale të gazetarit. Sipas mendimit tim, shtoi zoti Duve, asnjë mbrojtje e veçantë nuk duhet siguruar për zyrtarë të sektorit publik, të cilët është nevoja të tregojnë tolerancë më të madhe ndaj kritikave sesa qytetarët e thjeshtë.”

Ka mundësi që dënimi i ashpër kundër zotit Galkin të ketë pasoja negative ndaj lirisë së shprehjes në Rusi. Kjo është fatkeqësi sidomos tani që Rusia po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Për hir të demokracisë në Rusi, është shumë me rëndësi që dënimi kundër zotit Galkin të përmbyset dhe të respektohet shteti ligjor. //rd//

XS
SM
MD
LG