Lidhje

Në Shqipëri, PD e opozitës shprehet e sigurtë për fitoren e zgjedhjeve vendore - 2003-09-04


Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të opozitës, forumi më i lartë drejtues i saj, analizoi sot fushatën zgjedhore të saponisur, duke shprehur mbështetjen e plotë dhe më energjike për kandidatin Spartak Ngjela në bashkinë e Tiranës dhe për kandidatët e tjerë. Këshilli vlerësoi cilësitë e zotit Ngjela si kandidat për bashkinë e kryeqytetit dhe fushatën e tij si bashkëkohore dhe të kulturuar.

Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi se zoti Ngjela ka mbështetjen e plotë të partisë opozitare, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj në Tiranë dhe në gjithë vendin. “Ne duam votën për Spartak Ngjelën, për vlerën e tij, për qytetarinë e tij, për përfaqësimin e tij dhe jemi të sigurtë se do të fitojmë. Ndeshja është e madhe, fitorja është e sigurtë. Do të fitojë Tirana, do të fitojnë vlerat, do të fitojë liberal-demokracia” - tha zoti Berisha.

Zoti Berisha theksoi se fitorja e kandidatëve të opozitës në zgjedhjet vendore do të ndikojë ndjeshëm edhe në jetëgjatësinë e qeverisë së zotit Nano dhe kontrollit të pushtetit nga socialistët.

Kandidatët kryesorë për bashkinë e Tiranës, Edi Rama i PS dhe Spartak Ngjela i PD, i kanë nisur fushatat me vizita në zona të ndryshme të kryeqytetit për të takuar banorët. Zoti Rama ka ngritur një qendër në periferi ku regjistrohen pjesëmarrës vullnetarë të fushatës së tij, përgatiten pllakate e vizatime të ndryshme, ndërsa zoti Ngjela shoqërohet nga një grup të rinjsh me bicikleta në takimet që organizon në lagje të ndryshme.

Edhe drejtuesit më të lartë partiakë janë tepër të angazhuar në fushatë. Kryetari i PS e kryeministri, Fatos Nano, dhe kryetari i PD së opozitës, Sali Berisha, po zhvillojnë tubime në shumë qytete larg Tiranës, ku po paraqitin kandidatët e forcave të tyre

XS
SM
MD
LG