Lidhje

Moisiu: zgjedhjet e 12 tetorit duhet të jenë të lira dhe të ndershme - 2003-09-04


Presidenti i Republikës Alfred Moisiu tha sot se zgjedhjet e 12 tetorit duhet të jenë të lira dhe të ndershme pasi vendi nuk mund të vazhdojë më me kriza zgjedhore. Këto komente kreu i shtetit i bëri sot paradite gjatë një fjalimi të mbajtur në parlament. Presidenti Moisiu u shpreh se votimet për pushtetin vendor janë testi më i rëndësishëm politik i shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

Një ditë përpara se të mbledhë tryezën e partive politike, presidenti i Republikës Alfred Moisiu iu drejtua sot parlamentit me një fjalim ku ai u përqëndrua kryesisht në cështjen e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Ai kërkoi nga forcat politike të vendit zbatimin e kodit të ri zgjedhor: "Shqipëria ka vuajtur për zgjedhje vërtetë demokratike. Ne nuk mund të vazhdojmë më me kriza zgjedhore. Zgjedhjet e tetorit duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Vetëm kështu ato prodhojnë siguri e stabilitet si dhe do të kthejnë besimin e humbur, aq të nevojshëm për kohët e sotme. Për të zbatuar ligjet dhe për arritjen e këtij synimi madhor kërkohet vullnet politik dhe bindje e plotë ndaj ligjit. Është koha që mbi fitoren personale të mendojmë e të punojmë për fitoren e Shqipërisë"

Presidenti Mosiu përsëriti edhe një herë vlerësimin e tij se zgjedhjet vendore të tetorit janë testi më i rëndëishëm politik i shtetit dhe shoqërisë, i institucioneve dhe partive politike shqiptare: "Suksesi i tyre nuk përcaktohet nga fituesi, por nga mënyra sesi ato organizohen, menazhohen dhe mbyllen. Më e rëndësishja është të fitojë Shqipëria. Ka ardhur koha t’i japim fund trafikut dhe pazareve me votën, kush cënon votën e fshehtë ka cënuar rëndë integritetin politik e moral të Shqipërisë. Vullneti i lirë dhe demokratik i qytetarëve është mbi të gjitha vullnetet e tjera, ai duhet njohur, respektuar dhe mbrojtur me të gjitha kapacitetet tona politike e ligjore"

Presidenti kërkoi që shteti dhe institucionet e tij të mos bëhen pjesë konkurruese e fushatës dhe nuk duhet të keqpërdoren për qëllime politike: "Shteti e ka për detyrë kushtetuese të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, të sigurojë votën dhe barazinë e konkurimit si dhe të garantojë sigurinë, stabilitetin e vazhdimësinë e institucioneve. Kush do të guxojë ta shkelë ligjin duhet dhe do të përballet në mënyrën më serioze dhe të pashmangshme me të".

Presidenti Moisiu bëri thirrje edhe për një pjesmarrje të gjerë të votuesve në zgjedhje. Pjesmarrja në votim është një detyrim moral i të gjithë qytetarëve me të drejtë vote.

Në fjalimin e tij presidenti shqiptar u ndal edhe në problemet e krimit, korrupsionit, varfërisë dhe lirisë së mediave. Kreu i shtetit shprehu shqetësim për pafuqinë sic u shpreh ai për të ndaluar realisht trafikun, kontrabandën dhe korrupsionin duke deklaruar madje dhe se ekziston një bashkëpunim i segmenteve të rendit me krimin. Sipas tij edhe masat e aksionet e ndërmarra për uljen e varfërisë janë ende të pamjaftueshme dhe nuk po japin rezultate.

//rd//

XS
SM
MD
LG