Lidhje

Kryeministri Abaz i kërkon parlamentit palestinez ta mbështesë ose ta shkarkojë atë - 2003-09-04


Kryeministri palestinez, Mahmud Abaz, tha sot se parlamenti palestinez duhet ta mbështesë ose ta shkarkojë atë. Zoti Abaz e bëri këtë ultimatum sot, gjatë një fjalimi në Ramallah mbi 100 ditët e para të qeverisë së tij. Më pas, një grup anëtarësh të parlamentit paraqiti një mocion për t’i mohuar votëbesimin zotit Abbas. Nuk është e qartë nëse do të zhvillohet votimi për këtë mocion.

Anëtarët e parlamentit planifikuan për të shtunën një takim me dyer të mbyllura për të dëgjuar versionin e kryeministrit rreth luftës së tij për pushtet me presidentin palestinez, Yasser Arafat. Zoti Arafat nuk pranon t’u japë kryeministrit Abaz dhe shefit të sigurisë, Muhamed Dahlan, kontroll të plotë mbi forcat palestineze të sigurimit.

Aparati i sigurimit do të ishte shumë i rëndësishëm si mjet për të frenuar grupet ekstremiste si Hamasi, gjë që kërkohet nga plani ndërkombëtar i paqes për paqe me Izraelin.

Në fjalimin e sotëm, Kryeministri Abaz u tha ligjvënësve se ka në plan ta zgjidh problemin me grupet ekstremiste përmes dialogut dhe jo me anë të veprimeve ushtarake. Kryeministri fajësoi provokimet izraelite për mungesën e përparimit në përpjekjet për arritjen e paqes si edhe për dështimin e armëpsuhsimit të njëanshëm të shpallur nga grupet ekstremiste. Por, ai tha se palestinezët mbeten të angazhuar për zbatimin e planit ndërkombëtar të paqes.

Ndërkohë, grupi Brigadat Martire Al-Aksa mori përgjegjësinë për vrasjen sot të një ushtari izraelit në afërsi të qytetit Xhenin të Bregut Perëndimor. Ky grup është një fraksion i armatosur i lëvizjes Fatah të zotit Arafat.

//rd//

XS
SM
MD
LG