Lidhje

Këshilli i Sigurimit fillon diskutimet për projektrezolutën e re mbi Irakun - 2003-09-05


Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin parasysh sugjerimet nga vende të tjera të Këshillit të Sigurimit të OKB-së rreth projektrezolutës së propozuar për Irakun.

Sekretari Pauëll tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë ndryshime të përshtatëshme në propozimin për krijimin e një force shumëkombëshe nën komandën amerikane, të autorizuar nga Kombet e Bashkuara dhe që organizata botërore të mbështesë Këshillin Qeverisës të Irakut, të emëruar nga Uashingtoni.

Përfaqësuesit e 15 vendeve anëtare të Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të fillojë sot diskutimet jo-zyrtare, rreth projektrezolutës mbi Irakun, për të cilën disa vende anëtare kanë thënë se nuk është e mjaftueshme.

Gjermania thotë se kërkon një rol të gjithanshëm për Kombet e Bashkuara në Irak dhe më shumë hollësi rreth kalimit drejt vetëqeverisjes irakiane.

Edhe Franca thotë që Kombeve të Bashkuara duhet t’u jepet ndikim më i madh në procesin e rindërtimit të së ardhmes politike të Irakut.

Ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, tha se propozimi amerikan meriton të merret parasysh, por ka nevojë për ndryshime të rëndësishme, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e Moskës.

Në propozimin amerikan i bëhet thirrje Këshillit të Sigurimit që të caktojë një afat për hartimin e një kushtetute irakiane dhe për zhvillimin e zgjedhjeve në atë vend. Ndërkohë, ajo parashikon që kontrolli politik dhe ushtarak të mbetet në duart e Shteteve të Bashkuara.// lk //

XS
SM
MD
LG