Lidhje

Sekretari Rumsfeld: Në Irak është bërë përparim - 2003-09-06


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, në përfundim të një vizite triditore në Irak, mbrojti përparimin që tha se po bëhet për rindërtimin e këtij vendi.

Sekretari Rumsfeld tha të shtunën në një konferencë shtypi në Bagdad se pavarësisht nga problemet, populli irakian është në gjendje më të mirë nga ç’ishte para katër ose pesë muajsh.

Ai tha se forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara e kanë futur vendin në rrugën e një transferimi të mundshëm të pushtetit tek irakianët.

Zoti Rumsfeld e cilësoi transferimin e kompetencave të sigurisë në Irakun qendror tek një forcë e udhëhequr nga Polonia, si një arritje e rëndësishme.

Sekretari Rumsfeld u tha gazetarëve në Bagdad se ai erdhi në Irak për të falenderuar trupat amerikane.

“Është e rëndësishme që ato ta kuptojnë se sa e rëndësishme është ajo që po bëjnë për popullin e Irakut, për rajonin, për Shtetet e Bashkuara dhe për botën”, tha ai.

Vizita e sekretarit u bë mes kritikave në rritje nga udhëheqësit e opozitës në Shtetet e Bashkuara mbi praninë e rreth 130 mijë trupave amerikane në Irak.

Po të shtunën, zoti Rumsfeld vizitoi një varrezë masive dhe një burg famëkeq 100 kilometra në jug të Bagdadit. Ai u takua gjithashtu me komandantin polak të një force ndërkombëtare të dislokuar kohët e fundit në Irakun qendror. Më parë ai u takua me trupat amerikane në qytetet veriore të Tikritit dhe Mosulit.

Gjatë udhëtimit të sekretarit Rumsfeld, një ekspert çminimi u vra në Mosul dhe persona të armatosur të paidentifikuar sulmuan një xhami Sunni në Bagdad, duke plagosur tre besimtarë. //kk//

XS
SM
MD
LG