Lidhje

2 për qind e fëmijëve amerikanë shkollohen në shtëpi - 2003-09-06


Një vit i ri shkollor ka filluar në Amerikë, por disa fëmijë nuk shkojnë në shkollë. Në vend që të shkojnë në shkollë, ata mësojnë në shtëpi, dhe rolin e mësuesit zakonisht e kryejnë prindërit. Kompanitë edukative, libraritë, sistemet shkollore si dhe interneti i furnizojnë familjet me materiale mësimore.

Shkollimi në shtëpi ka ardhur duke u rritur gjatë viteve të fundit. Grupe të këtij lloji të ri arsimimi, llogarisin se rreth 2 milionë, apo rreth 2 përqind e fëmijëve, shkollohen në shtëpi. Përllogaritjet e fundit qeveritare në 1999-tën kapnin shifrën e rreth 850 mijë fëmijëve, ndërkohë që shifrat e reja nuk priten deri vitin që vjen.

Disa prindër e zgjedhin shkollimin në shtëpi për arsye fetare. Të tjerë thonë se në këtë lloj mënyre familja shpenzon më shumë kohë me njëri tjetrin. Shumë prindër mendojnë se shkollimi në shtëpi shmang problemet që hasen nëpër shkolla tradicionale. Një problem i tillë është edhe numri i madh i nxënësve në klasë.

Nga ana tjetër, kritikët thonë se fëmijët duhet të shkojnë në shkolla, sepse kjo do t’u ndihmonte atyre të mësonin gjëra të tilla si marrëdhëniet sociale. Ata thonë gjithashtu se disa fëmijë që shkollohen në shtëpi nuk marrin arsimimin e nevojshëm.

Të 50-të shtetet amerikane e lejojnë shkollimin në shtëpi. Por disa shtete kërkojnë më shumë përgatitje për prindërit apo provime për fëmijët, se sa disa shtete të tjera. Shkollimi në shtëpi ka një traditë të vjetër sa vetë Amerika. Në zonat fermere, shkolla ishte mjaft larg për nxënësit.

Kështu që në 1852-shin, shteti i Massachusetts-it miratoi ligjin e parë që u kërkonte fëmijëve vajtjen në shkollë. Sistemi i edukimit publik u rrit. Rreth viteve 1960-1970, megjithatë disa amerikanë mendonin se shkollimi tradicional nuk jepte rezultate për fëmijët e tyre. Kështu që shumë prindër filluan shkollimin e fëmijëve nëpër shtëpi.

Ekspertja e shkollimit në shtëpi, Linda Dobson, thotë se disa prindër filluan t’u japin mësim fëmijëve në shtëpi, kur disa shkolla fetare u mbyllën. Kjo ndodhi pas ndryshimit të ligjeve të taksave në vitet 80-të. Që nga ajo kohë, thotë ajo, shumë njerëz i janë bashkuar këtij lloji të ri arsimimi....të pasur dhe të varfër, si dhe prindër të racave, feve dhe besimeve politike të ndryshme.

Gjithashtu egziston edhe një organizatë për shollimin në shtëpi. Anëtarsia bazohet në të njëjtat provime që nxënësit kalojnë nëpër shkolla. Fëmijët që shkollohen shtëpi shkojnë në universitete dhe madje kanë fituar konkurse të mëdha, siç ishte edhe konkurimi i sivjetëm kombëtar në fushën e gjeografisë.//kk//

XS
SM
MD
LG