Lidhje

Presidenti Arafat pranon dorëheqjen e Kryeministrit Abaz - 2003-09-06


Presidenti palestinez, Yasser Arafat, pranoi dorëheqjen e kryeministrit Mahmud Abaz. Ligjvënësit palestinezë thonë se zoti Arafat i informoi ata gjatë një takimi që mbajti dje se zoti Abbaz do të udhëheqë një qeveri kalimtare. Zoti Abaz ia paraqiti dorëheqjen presidentit Arafat më herët.

Largimi i zotit Abaz nga posti i kryeministrit mund të jetë një disfatë e rëndë për përpjekjet e paqes në Lindjen e Mesme, duke i lënë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin pa partnerin e tyre të preferuar në bisedime. Të dy vendet kanë refuzuar të negociojnë me zotin Arafat, duke e quajtuar atë pengesë për paqen.

Në deklaratën e zotit Abaz, thuhet se arsyeja kryesore e dorëheqjes së tij ishte mosrespektimi i angazhimeve nga Izraeli siç parashikohet në planin e paqes. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë bërë presionin e mjaftueshëm Izraelit që ky i fundit të përmbushte angazhimet e tij ose t’u jepte fund goditjeve të tij ushtarake ndaj objektivave palestineze. Zoti Abaz tha gjithashtu se qeveria e tij ka qënë objekt “ofendimesh të rënda nga brenda vendit” dhe funksionet e saj normale u bllokuan.

Kohët e fundit, zoti Abaz ishte mbërthyer në një luftë për pushtet me zotin Arafat, i cili nuk pranoi t’i kalonte kryeministrit kontrollin e forcave palestineze të sigurimit. Kontrolli mbi forcat e sigurimit do ta ndihmonte zotin Abaz të mposhte grupet ekstremiste, që është një nga kërkesat kryesore të planit të paqes.//ic//

XS
SM
MD
LG