Lidhje

Si u garantuan të drejtat fetare të hebrejve në SHBA - 2003-09-07


Feja ka pasur një ndikim të madh gjatë historisë amerikane. Shumë njerëz erdhën në Amerikë për t’i shpëtuar persekutimit fetar që ekzistonte në vendet nga vinin. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u garanton liri fetare të gjithë amerikanëve. Kjo garanci ka bërë të mundur bashkëjetesën paqësore në mes të krishterëve, hebrejve dhe pjesëtarëve të besimeve të tjera.

Para pak ditësh, pikërisht kjo liri fetare u kremtua në Sinagogën Touro, e cila është Sinagoga më e vjetër në Shtetet e Bashkuara. Kjo Sinagogë gjendet në qytetin Providencë të shtetit Rhode Island dhe është ndërtuar nga hebrejtë e ikur nga Amerika Latine dhe Karaibet pasi atje kishin përjetuar persekutime fetare.

Në vitin 1946, Kongresi amerikan votoi për ta mbrojtur Sinagogën Touro si një objekt historik. Rëndësia e saj historike lidhet me letrën që i dërgoi asaj presidenti i parë amerikan dhe vizitën që ai bëri atje. Çdo verë njerëzit mblidhen në këtë objekt për të dëgjuar leximin e letrën që George Washingtoni i dërgoi asaj në vitin 1790, një vit para se Shtetet e Bashkuara të miratonin Kartën e të Drejtave, i cili do t’u garantonte qytetarëve liri fetare.

Më 17 gusht punonjësi i Sinagogës Moses Sayshus, i dërgoi një letër presidentit Washington ku i shkruante se shpresonte që presidenti do t’u garantonte hebrejve të drejta fetare në shtetin e ri. Shqetësimi i tij kishte të bënte me persekutimin e hebrejve prej shekujsh nga shumë shtete te tjera.

Në përgjigjen e tij presidenti Washington i shkruante se çdo person duhej të rrinte i qetë nën hijen e oborrit të tij pa u merakosur se dikush do t’i bënte dëm. Këtë vit, për të 56-tën herë, Sinagoga Touro ftoi disa zyrtarë për të lexuar këtë dokument. Kryetari i Bashkisë së qytetit Providencë, David Ciclilline lexoi fjalët që kishte shkruar Moses Sayshus. Ndërkaq Barbara McGann, oficere në pension e marinës amerikane lexoi fjalët e presidentit Washington.//kk//

XS
SM
MD
LG