Lidhje

Si ndikon lufta tek fëmijët ushtarë? - 2003-09-07


Fytyrat e luftëtarëve të rinj e të armatosur mund të shikohen nga Afrika në Azi e në Amerikën Latine. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se vajza dhe djem nën moshën 15 vjeçare janë angazhuar në 37 prej 55 luftrave të botës në vazhdim ose që sapo kanë përfunduar.

Mbi 300 mijë të rinj nën moshën 18 vjeç detyrohen të përfshihen në luftime ose të punojnë si spiunë, shërbëtorë ose skllevër seksi. Ndikimi tek gjëndja e tyre mendore dhe fizike nuk mund të nënvlerësohet.

13 vjeçari Shukuru flet në telefon celular diku në Kongo. Ai shpjegon se si u bë roje personale e një komandanti rebel. Ai thotë se mbron superiorin e tij me një armë kalashnikov. Ironia është mahnitëse. Ai është detyruar të mbrojë pikërisht ata njerëz, që e rrëmbyen atë.

Sipas organizatës Refugees International, e cila bëri të mundur intervistën telefonike me Shukurun, fëmijë dhe të rinj zakonisht detyrohen të luftojnë ose joshen me premtimin për t’u ushqyer, strehuar ose mbrojtur nga të shtënat e armëve gjatë luftës civile.

Sapo rekrutohen, ata shfrytëzohen për të spiunuar kundër armikut. Shpesh ata drogohen ose dehen para se të dërgohen në vijat e frontit, ku një numër i madh i tyre humbasin jetën.

23 vjeçari Ivan Melvin Rogers ishte ushtar në moshën fare të re. Kur ishte 11 vjeç ai u dërgua në një jetimore, pasi prindërit e tij u vranë para shtëpisë në Liberi.

Ndërsa ishte në kampin e refugjatëve në Liberi, ai u takua me një kolonel në ushtrinë e Siera Leones, i cili e stërviti të bëhej spiun kundër-zbulimi. Ai thotë se për disa muaj me radhë ai u stërvit se si të grumbullonte informacion nga armiku.

Në një intervistë telefonike nga Nigeria, ku ai shkoi pasi u largua nga ushtria, Ivani shpjegon atë që përjetoi.

“Kam parë shumë njerëz që vdisnin, shumë prej shokëve të mi. Më 6 janar 1999, unë u plagosa dhe ende kam një plumb në stomak. 20-30 prej shokëve të mi ushtarë, që luftonin me mua, rreth 60 përqind e tyre ishin shokë të ngushtë, u vranë para syve të mi”, thotë ai.

Punonjësit e ndihmave dhe punonjës të tjerë, që punojnë me ushtarë fëmijë, thonë se fëmijët rekrutohen shpesh sepse ata manipulohen më lehtë që të kryejnë vrasje gjakftohta. Por ata thonë se është pikërisht aftësia e tyre për t’u përshtatur që i bën ata të kurohen nga pasojat e pjesëmarrjes në luftë për vite, në se marrin mbështetjen e duhur.

Rebecca Winthrop, punon në New York për programin e Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit për fëmijët e prekur nga konfliktet e armatosura.

“Shumica e fëmijëve janë elastikë dhe mund të rifitojnë aftësinë për të funksionuar normalisht dhe t’i kthehen një procesi të zhvillimit normal, në se u krijohet një mjedis i përshtatshëm”, thotë ai.”

Dhe kjo përfshin rindërtimin e sistemit arsimor dhe riintegrimin e këtyre fëmijëve në shoqëritë e tyre.

Megjithatë, integrimi nuk është i lehtë. Shumë komunitete kanë rezerva rreth kthimit të këtyre fëmijëve dhe jo çdo komunitet e trajton riintegrimin në të njëjtën mënyrë.

Ivan Rogers thotë se jeta si ushtar fëmijë e ka mësuar atë se si të mbijetojë. Ai thotë se atij i duhet të operohet për të hequr plumbin nga stomaku, përndryshe ai mund të vdesë. Kohët e fundit, ai mblodhi një sasi të mjaftueshme parash për të shkuar në Afrikën e Jugut, ku shpreson të operohet. A është gati ai të përballojë jetesën pas operacionit? Për këtë ai nuk është i sigurtë.//kk/

XS
SM
MD
LG