Lidhje

Intervistë me nënkryetarin e BDI-së në Maqedoni Agron Buxhaku - 2003-09-08


Ministritë maqedonase të Punëve të Brendëshme dhe të Mbrojtjes thonë se dy persona të armatosur janë vrarë dje në fshatin Brezë gjatë aksionit të forcave qeveritare. Ndërkohë, drejtuesit e partive të koalicionit qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social Demokrate po takohen për të analizuar gjëndjen e krijuar. Për të diskutuar mbi përpjekjet që po bëhen në Maqedoni për të qetësuar situatën, gjatë emisionit Ditari, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë zotit Agron Buxhaku, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Zëri i Amerikës: Zoti Buxhaku, kryetari i Bashkimit Demokratik, Ali Ahmeti është duke u takuar në këto momente me kryeministrin Branko Cervenkovski. A mund të na jepni ndonjë informacion mbi bisedimet e sotme?

Agron Buxhaku: Sapo përfundoi takimi në të cilin isha prezent edhe unë, ku u vlerësua gjendja dhe u shkëmbyen informatat e fundit. Në takim ishte prezent edhe Ministri i Punëve të Brendëshme, zoti Hari Kostov. Sipas informatave të konfirmuara bëhet fjalë për dy viktima gjatë një përleshje që ka ndodhur dje në Brezë, edhe që nuk ka viktima në rrethin e banorëve të fshatit. Lajmi i fundit është që popullata pas thirrjeve të partisë sonë u bindën edhe kanë filluar të kthehen në fshat.

Zëri i Amerikës: A pati ndonjë nismë në këtë takim për të biseduar ose për të qetësuar gjendjen lidhur me grupet e armatosura për çarmatosjen e tyre?

Agron Buxhaku: Po sigurish edhe në takimin e mbrëmshme që u thirr me nismën tonë dhe që iu drejtuam bashkësisë ndërkombëtare që organizoi takimin i cili u mbajt në qeveri, u vendos që qysh sot të shkonin grupe të bashkësisë ndërkombëtare, të ministrisë së punëve të brendshme së bashku, dmth OSBEja, Konkordia apo edhe Kryqi i Kuq për të vërtetuar gjendjen dhe këto lajme që sapo iu thashë janë konfiruar, edhe si përfundim ka dalë që nuk do të ketë veprime aktive të policisë dhe do të veprojmë politikisht që përfundimisht të qetësohet gjendja në këtë rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Buxhaku cilët janë këto persona të armatosur që veprojnë në këtë rajon?

Agron Buxhaku: Këtu nuk mund të flasim me të dhëna konkrete. Ata janë të izoluar, nuk kanë mbështetjen e popullatës kështu që ne po përpiqemi edhe nga ana jonë edhe nga ana e institucioneve që ata të dorëzohen dhe të mos ndodhë gjakëderdhje në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: A rezikon situata e tanishme ta zhysë Maqedoninë përsëri në krizë?

Agron Buxhaku: Jo, nuk ka rrezik të tillë pasiqë shumica e popullatës përkrah Marrëveshjen e Ohrit dhe janë të vendosur edhe në përkrahjen e programit të partisë sonë i cili është shumë i qartë. Ne jemi për një Maqedoni sipas modelit të Marrëveshjes së Ohrit dhe në këtë drejtim do të veprojmë në të ardhmen. Unë besoj që askush nuk dëshiron, e as më pak në zonat të cilat kanë pësuar nga lufta, që të rikthehet një konflikt i tillë dhe shpresoj se me një angazhim të përbashkët edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare do të arrihet që të stabilizohet gjendja.

Zëri i Amerikës: A ka sjellë situata e tanishme acarime në koalicionin qeveritar? A ka ndjekur qeveria rrugën e duhur për ç’tensionimin e situatës.

Agron Buxhaku: Kur ndodhin raste të tilla sigurisht që reagimi i partisë sonë u bë imediat me urgjencë dhe u kërkua që të vlerësohet pasiqë ne e kemi qeverinë e përbashkët që ta kthejmë stabilitetin edhe mos të lejohet krimi i organizuar etj., por mosmarrëveshja ishte në trajtimin e problemeve. Ne arritëm një sukses të madh, partia jonë dhe deputetët tonë në Vaksincë për ta bindur popullatën në incidentin para këtij të fundit përmes mjeteve politike. Ne dëshirojmë të ndjekim këtë rrugë dhe këtë e kërkuam edhe nga partnerët e koalicionit që në të ardhmen të evitohen këto lloj ballafaqimesh të cilat mund të keqpërdoren nga ata që nuk janë të interesuar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ose nga disa forca të errëta në rajon.

//rd//

XS
SM
MD
LG