Lidhje

Takim në Gjenevë i pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së - 2003-09-09


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, do të takohet të shtunën në Gjenevë me homologët e tij nga 4 vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar lidhur me Irakun. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara kërkoi mbajtjen e takimit në përpjekje për të kapërcyer mosmarrëveshjet lidhur me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për të zgjeruar rolin e OKB-së në operacionet paqëruajtëse në Irak.

Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje janë të përçarë lidhur me rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara. Thuhet se Franca këmbëngul që Kombet e Bashkuara duhet të marin rolin udhëheqës në rindërtimin e Irakut dhe në krijimin e qeverisë së re.

Por gjatë një takimi me gazetarët në departamentin e shtetit, pas bisedimeve që pati me ministren e jashtme të Spanjës, Ana Palacio, sekretari Powell tha se, ndërkohë që Kombet e Bashkuara kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur, organizata botërore nuk do të jetë në gjendje të zëvëndësojë koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Kombet e Bashkuara duhet të luajnë një rol. Por a duhet OKB-ja të luajë vetëm një rol, të zëvëndësojë Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit në atë që ka bërë deri tani dhe që duhet të vazhdojë të bëjë në të ardhmen? Jo, këtë nuk mund ta pranoj sepse nuk besoj që OKB-ja është në pozitën e duhur për ta bërë një gjë të tillë."

Sekretari Powell ra dakord të marrë pjesë në takimin e Gjenevës pas një bisede telefonike dje mbasdite me zotin Anan. Në takimin e të ashtuquajturve Pesë të Përhershmit pritet të diskutohet edhe rreth perspektivave të paqes në Lindjen e Mesme, pas dorëheqjes së kryeministrit palestinez, Mahmud Abaz dhe dhunës së kohëve të fundit.

//ze//

XS
SM
MD
LG