Lidhje

Nju Jork: zhvillohet funerali i zjarrëfikësit të vrarë në 11 shtator, 2001 - 2003-09-09


Zjarrfikësit e Nju Jorkut morën pjesë dje në funeralin e njërit prej disa qindra kolegëve të tyre të vrarë në tragjedinë e 11 shtatorit 2001. Trupi i tij nuk arriti kurrë të identifikohej, prandaj u desh të kalonin dy vjet që më në fund atij ti jepej lamtumira e fundit, tani në përvjetorin e dytë të sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington. Dje u mbyll një kapitull në pasojat që la tragjedia e 11 shtatorit: u zhvillua funerali i zjarrfikësit Michael Ragusa, i fundit midis 343 kolegëve të tij që humbën jetën në sulmet terroriste. Në ceremoninë e përmortëshme të zhvilluar në kishën katolike të Shën Bernardit në Brooklyn morën pjesë disa mijra zjarrfikës.

Të veshur me uniforma, zjarrfikësit ndoqën procesionin e gajdeve dhe trumpetave si dhe grupin e motocikletave që shoqëronin dy makina zjarrfikëse, në njërën prej të cilave ndodhej arkivoli ku ishte vendosur vetëm një shishe e vogël me gjakun e Michaelit.

Trupi i Michael Ragusës nuk u identifikua kurrë , por kohët e fundit familja e tij zbuloi se zjarrfikësi 29-vjeçar kishte dhuruar gjak në një qendër shëndetësore, prandaj ata vendosën të përdorin një pjesë të këtij gjaku për varrim. "Për njerëzit e Nju Jorkut ky është një moment reflektimi, një rast për të nderuar pjestarin e fundit të një grupi heronjsh, vepra e të cilëve i dha qytetit forcën për tu rindërtuar. Për familjen e zotit Ragusa, ky është rasti për t’i dhënë lamtumirën njeriut të tyre," tha kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg.

Nje duartrokitje e gjatë për ata që atë ditë fatale të 11 shtatorit iu përgjigjën thirrjes dhe shkuan për të ndihmuar në Kullat Binjake. Në sulmet terroriste mbi qendrën botërore të tregtisë humbën jetën rreth 2 mijë e 800 vetë, por shpëtuan dhjetra mijra të tjerë.

Për shumë nga zjarrfikësit, kjo ceremoni e përmortëshme ishte një çast historik: ”Për shumë nga ne, kjo ceremoni i jep fund një kapitulli, gjatë të cilit ne përcollëm kolegët që humbën jetën,” thotë John Hilley, shefi i një grupi zjarrfikës të Nju Jorkut.

Ndërsa Richard Hill shpjegon se zjarrfikësit ata janë si një familje e madhe prandaj pjesmarrja e të gjithëve në këtë funeral ka shumë rëndësi. Ai thotë se erdhi në këtë ceremoni pikërisht për të treguar solidaritetin ndaj kolegëve të tij. Kjo është ceremonia e fundit e përmortëshme që zhvillohet për zjarrëfikësit që humbën jetën në Kullat Binjake, thotë Richard Hill.

Pasnesër, pritet të zhvillohet një ceremoni solemne në Kuotën Zero të Nju Jorkut, ku emrat e atyre që humbën jetën do të lexohen me zë të lartë nga fëmijët, ndërsa familjarët e viktimave do të mblidhen në gropën mbi të cilën ngriheshin dikur kullat binjake.

//rd//

XS
SM
MD
LG