Lidhje

Dy partitë më të mëdha të opozitës serbe bënë thirrje për zgjedhje parlamentare të parakohshme - 2003-09-10


Dy partitë më të mëdha të opozitës serbe bënë thirrje për zgjedhje parlamentare të parakohshme duke thënë se votimet janë e vetmja rrugë që republika të dalë nga kriza e tanishme politike.

Partia Demokratike e Serbisë dhe Grupi 17 Plus e bënë dje këtë thirrje përmes një deklarate. Mirëpo sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, kryeministri Zoran Zhivkoviç e hodhi poshtë kërkesën.

Partia Demokratike e Serbisë drejtohet nga ish-presidenti jugosllav, Vojisllav Koshtunica, ndërkohë që Grupi 17 Plus ka në krye ish-kryeministrin e Serbisë, Miroljub Labus.

Lajmet nga Beogradi bëjnë të ditur se të dy partitë mund të përbëjnë një sfidë serioze ndaj koalicionit qeverisës të Serbisë, i cili është tronditur nga një numër mosmarrëveshjesh e skandalesh. Zgjedhjet parlamentare në republikë pritet të zhvillohen nga fundi i vitit të ardhshëm.

VIZITA E PARË ZYRTARE NË SËRBI E MAL TË ZI NGA NJË KRYETAR KROAT SHTETI

Presidenti kroat, Stipe Mesic, do të shkojë sot në Beograd për një vizitë njëditore e cila synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e Malin e Zi.

Kjo është vizita e parë zyrtare në Serbi e Mal të Zi nga një kryetar kroat shteti që kur Kroacia shpalli pavarësinë më 1991. Zoti Mesiç do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Serbisë e Malit të Zi, Svetozar Maroviç, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Zyra e presidencës kroate thotë se bisedimet do të përqendrohen në marrëdhënie dypalëshe, integrimin evropian dhe marrëdhëniet në rajon. Kjo zyrë thotë se zoti Mesiç beson që rikthimi i serbëve etnikë në Kroaci është i rëndësishëm për demokracinë kroate.

Një zyrtar i lartë kroat thotë se askush nuk pret që vizita njëditore të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet Kroacisë dhe fqinjit të saj, por shtoi se bisedimet duhet të krijojnë një klimë më mirë.

//ze//

XS
SM
MD
LG