Lidhje

Shqipëri: 280 vëzhgues të ODIHR-it do të ndjekin votimet e 12 tetorit. - 2003-09-10


Duke nisur që nga dita e sotme, procesi zgjedhor në Shqipëri do të jetë nën mbikqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtar të ODIHR-it, zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. Grupi i parë i ekspertëve të zgjedhjeve ka mbërritur në Tiranë, dhe në ditët që vijnë pritet të mbërrijnë edhe 18 vëzhgues afatgjatë. Ata do të shpërndahen në zona të ndryshme të vendit për të parë ecurinë e përgatitjeve të procesit të zgjedhjeve.

Në krye të misionit të vëzhguesve është ambasadori Robert Barry, ish kryetar i OSBE-së në Bosnje-Hercegovinë. Ambasadori Barry tha sot në Tiranë se detyra e vëzhguesve është të mbledhin fakte dhe të hartojnë një raport krejtësisht transparent. Ditën e votimit, 250 vëzhgues të tjerë do të shpërndahen në të gjithë vendin për të ndjekur procesin e votimt dhe më pas atë të numërimit të votave. Ambasadori Barry u shpreh optimist për klimën që i ka paraprirë zgjedhjeve vendore të 12 tetorit:

"Unë jam shumë entuziast për punën që është bërë në Shqipëri për të rishikuar Kodin Elektoral dhe nga gjithë procesi konsensual me të cilin u miratua kodi në parlament. Ne besojmë se kodi elektoral dhe vullenti politik që qëndron pas tij do të përgatisin skenën e nevojshme për suksesin e zgjedhjeve vendore".

Procesi zgjedhor ka marrë një tronditje të parë për shkak të polemikave që janë ndezur pas vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për emërimin e anëtarit të shtatë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Emërimi i zonjës Dëshira Subashi është kundërshtuar jo vetëm nga opozita por edhe nga presidenti i Republikës Alfred Moisiu. Kreu i shtetit këto ditë ka zhvilluar konsultime me personalitete të jetës publike dhe politike në Shqipëri si dhe me ambasadorë të huaj.

Ambasadori i OSBE-së Osmo Lipponen, tha sot se përpjekjet e Presidentit janë në një drejtim pozitiv dhe synojnë rritjen e besimit për të krijuar një atmosferë pozitive, që zgjedhjet të zhvillohen në frymën e kodit të ri zgjedhor dhe të komisionit dypartiak.

XS
SM
MD
LG