Lidhje

Forcat izraelite plagosin një udhëheqës të Hamasit - 2003-09-10


Avionë luftarakë izraelitë sulmuan shtëpinë e udhëheqësit të lartë të grupit ekstremist palestinez Hamas, Mahmud al-Zahar, në Rripin e Gazës. Zoti al-Zahar u plagos lehtë në sulmin e sotëm, në të cilin u vranë djali dhe një roje e tij personale.

Autoriteti palestinez e dënoi sulmin, i cili u krye një ditë pas dy shpërthimesh vetëvrasëse në Izrael që shkaktuan vdekjen e 15 vetave. Mahmud al-Zahari është një nga udhëheqësit më me peshë vendimarrës të grupit ekstremist. Grupi Hamas mori përgjegjësinë për shpërthimet e ditës ë martë në Tel Aviv dhe Jeruzalem, duke i cilësuar ato si hakmarrje për krimet izraelite kundër palestinezëve. Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, ndërpreu vizitën në Indi për shkak të shpërthimeve vetëvrasëse dhe po kthehet në atdhe.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë i cilësoi shpërthimet si brutale dhe tha se ato vënë në pah faktin se lufta kundër terrorit është e rëndësishme për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme. Edhe kryetari i parlamentit palestinez, Ahmed Korei, i cili është emrua si kryeministri i ardhshëm, i dënoi shpërthimet e djeshme.

Shtëpia e Bardhë tha se kryeministri i emëruar palestinez Ahmed Korei duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të ndalur sulmet terroriste kundër Izraelit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McLellan tha se kabineti i emergjencës i zotit Korei duhet të ketë komandën e të gjitha forcave palestineze të sigurisë dhe të ndërmarrë hapa të menjëhershme për të shkatërruar organizatat terroriste.

Zoti Korei e pranoi ofertën e udhëheqësit palestinez Yasser Arafat për t’u bërë kryeministër dhe shpreson të krijojë një qeveri të vogël krize për të zëvendësuar Mahmoud Abbasin, që dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, pas katër muajsh mosmarrëveshjesh me zotin Arafat lidhur me kontrollin e sigurisë.

Presidenti Bush e vlerësonte zotin Abbas si person për të cilin mendonte se mund të sillte paqen në Lindjen e Mesme. I pyetur nëse presidenti kishte po aq besim tek zoti Korei, zoti McClellan tha thjesht se zgjedhja e tij ishte një çështje e brendshme e Autoritetit Palestinez.

Zoti McClellan tha se Presidenti Bush beson fuqimisht se kabineti i ri palestinez duhet ta shprehë hapur kundërshtimin ndaj çdo forme terrorizmi dhe ngul këmbë që të gjitha organizatat ushtarake që nuk janë nën kontrollin e Autoritetit Palestinez të nxirren jashtë ligjit dhe të shkatërrohen.

Duke iu referuar shpërthimeve të djeshme vetëvrasëse në Izrael, zëdhënësi McClellan tha se këto sulme të shëmtuara theksojnë edhe një herë nevojën për të luftuar terrorizmin dhe tha se është e rëndësishme që kryeministri palestinez dhe kabineti i tij të jenë të angazhuar për paqen.

//rd//

XS
SM
MD
LG