Lidhje

Ligjvënës amerikanë vazhdojnë të vënë në pikëpyetje kërkesën e presidentit Bush për fonde buxhetore shtesë - 2003-09-10


Anëtarë të kongresit amerikan vazhdojnë të shprehin shqetësime rreth kërkesës së presidentit Bush për fonde shtesë prej 87 miliardë dollarësh për stabilizimin dhe rindërtimin e Irakut. Demokratë në kongres thonë se fondet duhet të përdoren për nevoja urgjente shoqërore në Shtetet e Bashkuara dhe për të kapërcyer dobësitë në sigurinë kombëtare, që e kanë lënë vendin të pa mbrojtur ndaj sulmeve terroriste.

Të dielën e kaluar, presidenti Bush tha se tani Iraku është vija e parë e frontit në luftën kundër terrorizmit dhe i kërkoi kongresit të miratojë fonde të reja prej 87 miliardë dollarësh përveç 80 miliardë dollarëve, të miratuara në fillim të këtij viti.

Kjo kërkesë ka intensifikuar debatin lidhur me drejtimin dhe organizimin e operacioneve amerikane në Irak. Madje demokratët ashtu si edhe republikanët kanë filluar të flasin rreth një numër çështjesh të reja rreth përparësive për shpenzimet mbi sigurinë kombëtare dhe çështje të tjera të brëndshme.

James McGovern është demokrat nga shteti Massachusetts.

“Populli amerikan ka nevojë të dijë se cilat janë rreziqet. Populli amerikan duhet të dijë se ç’po kërkon administrata prej nesh. Kjo është një kohë e së vërtetës dhe sinqeritetit. Ne e kemi zgjatur mjaft muhabetin. Ne jemi mashtruar mjaft.”

Në qendër të vëmëndjes ishin ato që shumë njerëz mendojnë se janë ende të meta serioze në sigurinë kombëtare, çdo gjë nga siguria e aviacionit deri tek përgatitja e shërbimeve emergjente, si zjarrfikësit, policia dhe punonjësit e urgjencës.

Dje, një komision dëgjoi dëshmi nga ekspertë, që paralajmëruan se sigurisë kombëtare nuk i janë kushtuar fonde të mjaftueshme. Ish senatori republikan, Warren Rudman, i cili ishte bashkë-kryetar i një komisioni të posaçëm për shqyrtimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, thotë.

“Në se do të kryhet një sulm tjetër, dhe unë mendoj se kjo do të ndodhë, por është vetëm çështje kohe, ne do të përballemi me një katastrofë dhe do të jemi të paaftë të ndihmojnë qytetarët tanë pas gjithë paralajmërimeve që kemi marë. Në një rast të tillë, politikanët nuk do të kenë ku të futen, veçse në skëterë.”

Anëtari i kongresit David Obey thotë se shumica e demokratëve janë të një mendimi se Shtetet e Bashkuara duhet ta përfundojnë misionin e tyre në Irak, por ai shton se mes amerikanëve po shtohet nervoziteti se sa para do të kushtojë ky mision.

“Për këtë llogaritje të gabuar do të paguhen disa çmime. Mendoj se, në qoftë se paguajmë shumën që mendoj se do ta paguajmë për Irakun, atëhere ne nuk mund t’u japim 88 mijë dollarë në shkurtime taksash njerzve, që do të bëjnë një milion të ardhura vitin e ardhshëm.”

Udhëheqësi i pakicës demokrate në senat, Tom Daschle, u tha gazetarëve se demokratët po hartojnë, siç u shpreh ai, strategjinë e tyre legjislative lidhur me kërkesën e presidentit për shpenzimet në Irak. Por ai shtoi se demokratët do të bëjnë shumë pyetje, ndërkohë që projekt-ligji i paraqitet kongresit.

Disa prej pyetjeve u bënë dje gjatë një seance të komisionit të senatit për shërbimet e armatosura, nga senatori Robert Byrd, i cili paralajmroi se nuk do ta miratojë kollaj kërkesën e presidentit për shpenzimet në Irak.

“Kongresi ka disa pyetje serioze. Populli amerikan ka disa pyetje serioze. Dhe ne duhet të marrin përgjigje.”

Në të njëjtën seancë të kongresit, senatori republikan nga Arizona, John McCain, vuri në pikpyetje parashikimet e administratës rreth perspektivave të ndërkombëtarizimit të operacioneve në Irak.

Kërkesa e administratës për 87 miliardë dollarë për Irakun, ku përfshihen edhe fondet për Afganistanin, ka të ngjarë të miratohet nga kongresi. Por në se demokratët ia arrijnë qëllimit të tyre, miratimi nuk do të bëhet pa një numër dëshmish në kongres dhe pa debate intensive.

Madje ndihmësit në kongres thonë se edhe ligjvënësit republikanë mendojnë se në këtë fazë presidenti duhet t’u paraqesë taksapagusve amerikanë plane të hollësishme për Irakun dhe se çfarë mund t’u duhet atyre të parashikojnë në afatin e gjatë.

//ze//

XS
SM
MD
LG