Lidhje

2 vjet pas sulmeve, vazhdojnë përpjekjet për kapjen e bin Ladenit - 2003-09-11


Zyrtarë të qeverisë amerikane thonë se al-Qaeda mbetet po aq e rrezikshme sa ishte para sulmeve të 11 shtatorit. Ata vazhdojnë të thonë se lufta kundër terrorizmit do të kërkojë jo muaj por vite. Por le tu hedhim një vështrim përpjekjeve ndërkombëtare për kapjen e udhëheqësit të al-Qaidës, Osama Bin Laden.

Videokaseta e fundit me udhëheqësin e al-Qaidës Bin Laden tregon imazhe të transmetuara nga televizioni al-Jazeera me qendër në Katar. Sipas al-Jazeerës, kaseta është regjistruar katër muaj më parë dhe aty shihet udhëheqësi i al-Qaidës së bashku me numrin dy të kësaj Ayman al-Zawahiri. Tani për tani, është e pamund të përcaktohet nëse videokaseta është e vërtetë. Personi që flet në videokasetë, dhe që thuhet se është bin Ladeni, vlerëson lart ata që kryen sulmet e 11 shtatorit para dy vjetësh.

Një folës tjetër, që thuhet se është al-Zawahiri, paralajmëron se lufta e al-Qaidës kundër SHBA ende nuk ka filluar.

Ndërkohë që në të gjithë botën vazhdon kërkimi i bin Ladenit, zyrtarë të lartë amerikanë i thanë rrjetit televiziv ABC se rrjezja e kërkimit të tij është ngushtuar. Ata besojnë se bin Ladeni fshihet në një zonë prej 100 kilometrash katrore në rajonin Waziristan të Pakistanit në kufi me Afghanistanin.

Akbar Ahmed është një ish zyrtar pakistanez i cili dikur mbikqyrte rajonin në fjalë. “Kjo është një zonë e vështirë, plot male dhe humnera dhe me dy fise mjaft armiqësore,” thotë ish zyrtari pakistanez.

Nën mbrojtjen e fshatarëve vendas, një gazetar i rrjetit ABC qendroi në këtë rajon për disa ditë. Ai pa malet ku strehoheshin persona që thuhej se ishin operativë të al-Qaidës si dhe parrulla që lavdëronin ish udhëheqësin taleban, Mullah Omar, i cili gjithashtu mendohet se fshihet aty. Gazetari shkoi gjithashtu nëpër pazaret e zonës ku autoritetet thonë se bin Ladeni dhe disa nga pasuesit e tij furnizohen me ushqime. Banorët thonë se të paktën 8 vetë janë vrarë në qytetin Angoor Ada nën dyshimin se kanë qenë informatorë të amerikanëve. Ja ç’thotë eksperti i antiterrorizmit Dick Clarke. “Shumica e njerëzve në këtë rajon e duan bin Ladenin dhe e mbrojnë atë si dhe organizatën e tij.”

Autoritetet thonë se bin Ladeni përdor korrierë, shpesh të hipur në deve, për të dërguar mesazhe, duke iu shmangur avionëve dhe satelitëve amerikanë të përgjimit. Zyrtarisht, forcat speciale amerikane nuk lejohet të veprojnë në Pakistan. Por ato qendrojnë matanë kufirit, në Afghanistan. Vetëm një numër i vogël agjentësh amerikanë të zbulimit veprojnë në rajon bashkë me trupat pakistaneze.

Nën trysninë e madhe të Shteteve të Bashkuara dhe të Afganistanit, trupat pakistaneze janë futur në Waziristan dhe në zona të tjera fqinje për të kapur luftëtarë të al-Qaidës dhe të talebanit. Në muajin qershor, pas takimit me Presidentin Bush, udhëheqësi pakistanez, Pervez Musharraf tha se qeveria e tij po bën përpjekje të jashtëzakonshme për kapjen e Bin Ladenit.

Osama Bin Laden mund ta ndjejë veten i sigurt aty ku ndodhet. Por ai është i izoluar dhe nuk komunikon dot lehtë me ndihmësit e tij. Shumë prej të cilëve po kapen nga agjentët amerikanë të zbulimit.

Ndërkohë, FBI-ja beson se katër persona që dyshohen si anëtarë të al-Qaidës po planifikojnë të sulmojnë SBA ose interesat amerikane jashtë vendit. Zyrtarët nuk e dinë se kush janë ata. Ja ç’thotë Larry Medford shefi i F-B-I së për luftën kundër terrorizmit. “Ata janë shumë të rrezikshëm dhe ne na duhet të jemi vigjilentë. Ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë vigjilencën.” Ekzistojnë shqetësime se dy nga këta persona mund të përpiqen të sulmojnë pa marrë miratimin e krerëve të al-Qaidës.

Ndërkohë, sot më 11 shtator, kudo në Shtetet e Bashkuara masat e sigurimit vazhdojnë të jenë të rrepta në aeroporte dhe në ndërtesat federale.

//rd//

XS
SM
MD
LG