Lidhje

Jep dorëheqjen zëvendësministri shqiptar i drejtësisë - 2003-09-11


Zëvendësministri i Drejtësisë Përparim Sanxhaku, dha sot dorëheqjen, pas deklaratave të tij lidhur më konfliktin mes Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për emërimin e një anëtari të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Zoti Sanxhaku ishte shprehur se në këtë përplasje më pak e dëmshme do të ishte dorëheqja e kreut të shtetit. Nga ana e tij presidenti i Republikës ka vazhduar konsultimet për zgjidhjen e probelimit të lindur pas emerimit te zonjës Dëshira Subashi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve

Ndërsa gjithnjë e më tepër jo vetëm nga analistë por edhe personalitete publike dhe politike, po dëgjohet kërkesa për dorëheqjen e anëtares së porsaemëruar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, sot ishte zëvendësministri i Drejtësisë që e bëri këtë akt.

Përparim Sanxhaku, u gjend në mes të kritikave të ashpra për deklaraten e tij të pak ditëve më parë lidhur me konfliktin mes Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Ndërmjet dy varianteve, dorëheqjes së presidentit dhe rimbledhjes së KLD-së, për zgjedhjen e një personi tjetër për KQZ, më mirë do te ishte që presidenti të jepte doreheqjen, nëse ai nuk e përballon situatën e krijuar dhe presionin e partive politike. Rimbledhja e KLD-se, përbën cënim të institucioneve të pavarura”, kishte deklaruar në një intervistë zëvendësministri Sanxhaku.

I menjëhershem reagimi i presidencës e cila i kërkoi shpjegim kryeministrit Fatos Nano, por ky i fundit sqaroi pa mëdyshje se qëndrimi i zëvendësministrit kishte qenë personal. Kritikat ndaj zotit Sanxhaku vazhduan, sidomos nga opozita e cila kujtoi lidhjet e ngushta mes tij dhe kryeministrit, si ish avokat i zotit Nano.

Në sqarimin e tij për dorëheqjen, zoti Sanxhaku shpjegon se qëndrimi i tij ka qenë profesional dhe se asnjëherë nuk ka patur për qëllim të kërkojë, sikundër abuzohet, shprehet ai, dorëheqjen e cilitdo. Përmendja e termave president apo Këshill i Lartë i Drejtësisë, ka vazhduar më tej zoti Sanxhaku, ka patur të bëjë me kategori institucionale dhe aspak me emra të përvecëm.

Por dorëheqja e zëvendësministrit të drejtësisë nuk duket se mund të influencojë në atë që tashmë ka marrë përmasat e një krize, lidhur me cështjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës, po këmbengul që të kërkojë një zgjedhje për të ekulibruar raportet politike në këtë Komision. Edhe dje në takimin me kryetarin e misionit të Vëzhguesve të ODIHR , ai është shprehur se, po punon intensivisht për rritjen e vullnetit politik nga ana e mazhorancës, që zgjidhja e problemit lidhur me antarin e ri të KQZ–së të bëhet ashtu si e parashikon Kodi Zgjedhor. Ndërsa sot ai është takuar me dy ish kryetarët e komiionit dypartiak që u morr me hartimn e Kodit zgjedhor, si dhe me kryetarët e dy grupeve parlamntare të partisë socialiste dhe asja demokratike.

Por sërish socialistët i qëndrojnë mendimit se vendimi i marrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mund të vihet në diskutim. //rd//

XS
SM
MD
LG