Lidhje

Amerika përkujton 11 shtatorin - 2003-09-11


Presidenti Bush mbajti sot një minutë zi në Shtëpinë e Bardhë me rastin e 11 shtatorit, përvjetorit të dytë të sulmeve terroriste, ndërkohë që në të gjithë vendin po zhvillohen ceremoni përkujtimore me këtë rast.

Pikërisht në orën 8 e 46 minuta, koha kur avioni i parë goditi njërën nga kullat, Presidenti Bush mbajti zi për të viktimat. Para kësaj, Presidenti mori pjesë në një ceremoni fetare në një kishë pranë Shtëpisë së Bardhë. Presidenti tha se amerikanët kujtojnë sot njerëzit që humbën jetën, aktet e tyre heroike dhe fisnikërinë që treguan qytetarët atë ditë tragjike.

Në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, 200 fëmijë lexuan me radhë emrat e rreth 3 mijë personave që u vranë më 11 shtator 2001. Fëmijët që lexuan emrat kishin të gjithë pjestarë të familjeve të vrarë në sulmet terroriste.

Familjarë të të vrarëve, shumë prej të cilëve nuk iu gjetën trupat, janë mbledhur në Kuotën Zero për tu bërë homazhe njerëzve të tyre.

Në mbrëmje, në vendin ku ngrihej Qendra Botërore e Tregtisë, do të lëshohen drejt qiellit dritat e fuqishme të dy prozhektorëve, si kujtim për kullat binjake.

Ndërkohë, ceremoni përkujtimore u zhvilluan edhe në Pentagon, ku më 11 shtator 2001, përplasja e një avioni të tretë të rrëmbyer nga terroristët shkaktoi vdekjen e mbi 180 vetave.

Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së një kurore në Varrezat Kombëtare prenë Uashingtonit. Ceremoni të tjera do të zhvillohen në shtetin e Pensilvanisë, ku një avion i katërt i rrëmbyer u rrëzua mbi një fushë, duke shkaktuar vdekjen e të 40 udhëtarëve dhe të ekuipazhit.

Ceremonitë e këtij viti me rastin e 11 shtatorit janë më pak të bujshme se ato vitin e kaluar. Presidenti Bush nuk do të mbajë fjalime dhe nuk do të shkojë në Nju Jork apo në Pensilvani siç bëri në përvjetorin e parë të tragjedisë.

//rd//

XS
SM
MD
LG