Lidhje

Fraksioni palestinez Fatah kërcënon Izraelin - 2003-09-12


Krahu ushtarak i fraksionit Fatah të presidentit palestinez Jaser Arafat, paralajmëroi se do ta ndëshkojë Izraelin, nëse e dëbon udhëheqësin palestinez.

Në një deklaratë që bëri sot, grupi "Brigadat Martire Al-Aksa", tha se do të merrte masa të ashpra kundër Izraelit në rajon dhe më tej. Grupi e bëri paralajmërimin në përgjigje të një vendimi të kabinetit izraelit për të dëbuar zotin Arafat, duke e cilësuar atë si pengesë për arritjen e paqes.

Ushtria izraelite ka marrë urdhër të hartojë plane për dëbimin e zotit Arafat. Por megjithë deklaratën e ashpër të qeverisë izraelite, zyrtarët thonë se nuk pritet ndonjë veprim i shpejtë për dëbimin e zotit Arafat.

Pas deklaratës së Izraelit, mijëra palestinezë formuan një zinxhir mbrojtës përreth selisë së zotit Arafat në Ramallah dhe demonstruan në pjesën më të madhe të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, tha sot se dëbimi i zotit Arafat do të ishte një veprim i pamatur. Edhe një zëdhënës i Lidhjes Arabe tha se dëbimi i zotit Arafat do të kishte pasoja të rënda për rajonin dhe më tej.

Shtetet e Bashkuara thanë se dëbimi i zotit Arafat nuk do të ndihmonte përpjekjet për arritjen e paqes në rajon, ndërkohë që Bashkimi Evropian shprehu shqetësim të madh rreth masave që mund të marrë Izraeli.

//ze//

XS
SM
MD
LG