Lidhje

Daci: bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi - midis të barabartëve - 2003-09-12


Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, thotë se është në interesin e Kosovës që të mbahen bisedimet për çështje teknike midis Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi, dhe të zgjidhen çështjet praktike që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve.

Zoti Daci, i cili i bëri sot këto komente në një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Martin Vulaj, tha se bisedimet do të mbahen dhe nënshkruhen ndërmjet të barabartëve.

Zoti Daci theksoi se në këtë process, pala e Kosovës do të respektojë institucionet e veta dhe ligjet e miratuara nga parlamenti i Kosovës. Këshilli Shqiptaro-Amerikan është i angazhuar në përgatitjen e strukturave me të larta të Kosovës për këto bisedime, së bashku me ambasadorin Uilliam Uoker dhe Universitetin e Harvardit.

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Harri Holkeri, ka thënë se problemi më i madh për bisedimet është afati i ngjeshur kohor, duke u shprehur se nuk duhet humbur më kohë.

Zoti Holkeri ka thënë se ka biseduar me udhëheqësit e Kosovës dhe autoritetet ndërkombëtare për çështjen e dialogut. Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës pritet të shkojë për në Nju York, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Grupit të Kontaktit.

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, është shprehur se bisedimet për çështje teknike midis Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi, nuk janë përparësi e qeverisë së tij, dhe ka shtuar se përparësi për të janë hapja e vendeve të reja të punës dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Në Kosovë, mësuesit dhe minatorët e Trepçes vazhdojnë grevat e nisura ditë më parë ndërkohë që sot, edhe pensionistët paralajmëruan se do të protestojnë, po për kërkesa ekonomike.// lk //

XS
SM
MD
LG