Lidhje

A do të dërgojë Turqia trupa në Irak? - 2003-09-13


Turqia nuk ka vendosur ende se si t’i përgjigjet një kërkese amerikane për të dërguar trupa në Irak. Një votim lidhur me këtë çështje ka mundësi të mbahet në parlamentin turk muajin e ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara e konsideronin Turqinë një element të rëndësishëm në luftën e Irakut dhe donin të dërgonin trupa amerikane përmes Turqisë për të goditur Irakun verior. Por parlamenti turk nuk e pranoi një gjë të tillë dhe kjo u provua nga votimi i papritur kundër, gjë që reflektonte opinionin e gjerë të publikut kundër luftës.

Kjo solli pasoja tek planet amerikane të luftës dhe i acaroi marrëdhëniet me Washingtonin. Në një përpjekje për t’i përmirësuar ato, qeveria turke propozoi që të dërgojë trupat e veta si paqeruajtës në Irak. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar 10 mijë trupa që të ndihmojnë forcat e koalicionit.

Megjithëse disa nga anëtarët e qeverisë turke, kanë patur prirje islamiste dhe madje kryeministrit Recep Tayyip Erdogan për katër vjet nuk iu lejua të kryente aktivitet politik, tani duket se është rënë dakord që trupat të dërgohen. Ja ç’thotë nënkryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Shaban Dishli. “Nëse qeveria vendos që ta sjellë propozimin në parlament, mendoj se nuk do të jetë shumë e vështirë që të votohet në favor, sepse arsyeja për të shkuar në Irak është që të ndihmohet për të vendosur paqen dhe për të kthyer normalitetin, domethënë demokracinë. Nuk bëhet fjalë për luftë këtë radhë. Ne po shkojmë për të vendosur paqen”, thotë ai.

Parlamenti kthehet nga pushimet më 1 tetor. Soner Cagaptay, analist në Institutin për Politikat e Lindjes së Afërt këtu në Washington thotë se dërgimi i trupave turke në Irak nuk do të jetë diçka e lehtë për t’u realizuar:

“Disa mendonin se qeveria do të kërkonte një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit për të votuar mbi dislokimin e trupave paqeruajtëse në Irak. Unë e them me bindje se qeveria nuk është ende gati për këtë votim”.

Zoti Cagaptay thotë se qeveria duhet të veprojë me kujdes, pasi ajo ende përballet me një kundërshtim të konsiderueshëm në parlament.

Përveç kësaj, publiku turk nuk është i kënaqur me zhvillimet në Irak dhe anketat e kohëve të fundit tregojnë se ai është përgjithësisht kundër dislokimit të trupave.

Ndërkohë, ndryshimi i fundit i politikës së Washingtonit për të zgjeruar rolin e Kombeve të Bashkuara në Irak mund ta lehtësonte situatën për qeverinë turke, sipas deputetit Dishli.

“Do të ishte një ndihmë e madhe për ne. Nëse shkojmë në Irak nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, ose të NATO-s, sigurisht që do të ishte shumë më e lehtë për ne të votonim në favor”, thotë zoti Dishli.

Edhe më e rëndësishme për Turqinë është çështja e separatistëve kurdë. Zyrtarët turq janë të shqetësuar se rënia e regjimit të Sadam Huseinit mund të çojë në shpërbërjen e Irakut dhe krijimin të një shteti kurd. Por Henri Barkey, kreu i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Leigh dhe bashkëautor i librit “Çështja kurde e Turqisë” thotë se Shtetet e Bashkuara kanë premtuar ta parandalojnë një gjë të tillë. Zyrtarët amerikanë e kanë kundërshtuar praninë turke në Irakun verior që kur filloi lufta. Hoshyar Zebari, Ministri i Jashtëm i Këshillit Qeverisës së Irakut thotë se nuk do trupa turke askund në vend. Profesori Barkey mendon pak a shumë njëlloj: “Shtetet e Bashkuara kanë nevojë të dërgojnë sa më shumë trupa për ta kontrolluar më mirë gjendjen dhe po shqyrton çdo aleat të mundshëm. Turqia, si një vend anëtar në NATO dhe aleat i vjetër është një nga kandidatët kryesorë. Unë mendoj se asnjë nga vendet fqinjë nuk duhet të dërgojë trupa në Irak sepse nëse turqit dërgojnë trupa, iranianët do të ndjejnë nevojën të dërgojnë agjentë dhe të tjerë në atë zonë, vetëm për të patur edhe ata një prani aty. Dhe nëse iranianët e bëjnë këtë, edhe sauditët mund të nxiten të veprojnë njëlloj dhe kështu me radhë” .

Por ministri i jashtëm turk Abdullah Gul thotë se vendi i tij është i gatshëm të dërgojë trupa siç është angazhuar, ndërsa kryeministri këmbëngul që trupat të mos mbeten atje pafundësisht. Analistët thonë se ai mund të druhet se më keq akoma do të ishte për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nëse Turqia heziton edhe një herë të japë mbështetje ushtarake lidhur me Irakun.//kk//

XS
SM
MD
LG