Lidhje

SHBA: Kandidatët demokratë debatojnë - 2003-09-13


Nëntë demokratët që po përpiqen të sfidojnë presidentin Bush në zgjedhjet e vitit të ardhshëm e kritikuan ashpër administratën e tanishme për politikën ndaj Irakut dhe luftës kundër terrorizmit. Kritikat u bënë gjatë një debati që u zhvillua këto ditë në Baltimorë të shtetit Merilend. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell hollësi.

Edhe ata demokratë që votuan vitin e kaluar për rezolutën që e autorizoi presidentin të përdorte forcën kundër Irakut, vazhduan të kritikojnë mënyrën e zgjidhjes së problemeve të pas-luftës nga administrata.

Senatori i shtetit Connecticut, Joseph Lieberman tha se presidenti nuk ka një “strategji dalje” nga Iraku. Senatori nga Massachusetts John Kerry tha se vonesa e presidentit për të kërkuar ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar për Irakun është sipas fjalëve të tij -- “një akt neglizhence i përmasave të mëdha”.

Ligjvënësi nga Missouri Richard Gephardt tha se problemet e Irakut të pas-luftës janë simboli i asaj që ai e quajti politikë e jashtme e dështuar.

“Ai nuk ka siguruar fonde nga asnjë vend tjetër dhe as ndonjë numër të konsiderueshëm trupash ushtarake. Politika e jashtme e presidentit është një dështim i shëmtuar, ai ka dështuar në sytë e popullit amerikan dhe po dështon përpara popullit të Irakut”.

Por një tjetër demokrat konkurent kritikoi kolegët e tij që votuan pro luftës vitin e kaluar.

Ligjvënësi Deniis Kucinich nga Ohio ia drejtoi këto komente ligjvënësit Gephardt.

”Dick, dua të përmend se kur qëndrove përkrah presidentit në Shtëpinë e Bardhë dhe e këshillove, do të ishte mirë që t’i thoshe JO, pasi si udhëheqësi ynë demokrat, pozicioni yt ndikoi në drejtimin që do të merrte çështja e luftës.”

Ligjvënësi Kucinich ishte i vetmi ndër 9 kandidatët që tha se votoi kundër kërkesës së presidentit për 87 miliardë dollarë ndihma për të rindërtuar Irakun.

Momenti i vetëm i rëndësishëm i ndeshjes midis kandidatëve ishte kur senatori Lieberman akuzoi ish guvernatorin e Vermontit, Howard Dean se i ka kthyer kurrizin Izraelit.

Zoti Dean kishte thënë në një intervistë më parë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të mbajnë anën e askujt në konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve duke sjellë këtë shkëmbim fjalësh midis tij dhe senatorit Lieberman.

LIEBERMAN: Ne nuk marrim fuqi si negociues në se kushtëzojmë mbështetjen tonë për Izraelin.

DEAN: Pikëpamja ime për Izraelin është e njëjtë me atë të Bill Clintonit.

LIEBERMAN: Kjo nuk është e drejtë.

DEAN: Më fal, Joe, unë nuk të ndërpreva dhe do ta vlerësoja në se edhe ti të mos më ndërprisje. Mendoj se Amerika ka nevojë të jetë një negociues i paanshëm. Kemi shumë nevojë për paqe në Lindjen e Mesme.

Senatori Lieberman është bërë kandidati demokrat më agresiv në përpjekjet për të sfiduar Howard Deanin. Ish guvernatori i Vermontit është në krye të anketave të opinionit publik të zhvilluar në disa nga shtetet kryesore dhe e ka përdorur këtë moment për të grumbulluar miliona dollarë dhe për të fituar mijëra vullnetarë në mbështetje të tij në mbarë vendin.

XS
SM
MD
LG