Lidhje

Kosovë:Minatorët e Trepçes pezullojnë greven - 2003-09-13


Mbi 500 minatorë pezulluan deri më 1 tetor, grevën 12 ditëshe pas bisedimeve që zhvilloi me ta kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili u premtoi minatorëve se do të diskutojë për gjendjen në minierat e Kosovës me administratën ndërkombëtare. Administrata ndërkombëtare ka në kompetencë të saj minierat e Kosovës. Minatorët kërkojnë që të gjendet zgjidhje për problemet e tyre sociale dhe ekonomike dhe patën paralajmëruar se do të radikalizonin grevën e tyre nëse autoritetet nuk gjejnë zgjidhe.

Qeveria u ka ofruar minatorëve 150 mijë euro ndihmë, e cila do të fillojë të shpërndahet menjëherë. Më pas duhet të fillojë pensionimi i minatorëve mbi 50 vjeç, dhe do të mundësohet ndihmë sociale për ata që nuk do të pensionohen ose që nuk do të kthehen në punë deri në rifillimin e prodhimit të kombinatiti Trepca. Greva e minatorëve u pezullua pas dy orë bisedimesh të kryeministrit Bajram rexhepi me minatorët grevistë.

Kryeministri Rexhepi shpreson gjithashtu që të hënën të ndërpritet edhe greva e mësuesve të cilët kërkojnë rritje pagash, dhe të rifillojë mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës. Organizatorët e grevës, sindikata e bashkuar e arsimit, shkencës dhe kulturës, pritet të vendosë përfundimisht për këtë çështje, pasi tashmë bisedimet janë përqëndruar në rritjen me 20 përqind të pagave të mësuesve, por duke I shtuar kësaj shume edhe 5 përqind në fillim të vitit të ardhshëm.

Mësuesit kanë vazhduar grevën që prej disa javësh megjithë kërkesën e qeverisë për rifillimin e mësimit. Ende nuk është e qartë nëse greva e tyre do të ndërpritet përfundimisht ndërkohë që me sa duket, bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë.//ss

PRISHTINE - VRITET NJE USHTAR I KFORIT

Zëdhënësi i KFOR-it në Prishtinë Kris Tomson, konfirmoi sot se një ushtar paqeruajtës suedez është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë në kampin ushtarak “Viktoria” në Ajvali të Prishtinës, pas shpërthimit të një mjeti eksploziv.

Ushtarit të plagosur i është ofruar ndihma mjekësore në kampin Bondstill dhe jeta e tij është jashtë rrezikut.

KFOR-i konfirmoi se shpërthimi ka ndodhur aksidentalisht ndërkohë qe ushtarët suedezë po bënin çminime. Ushtari i vrarë quhej Martin Valbertdhe ishte 27 vjeç.//ii

XS
SM
MD
LG