Lidhje

Anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit gjejnë “pika afrimi” për Irakun - 2003-09-13


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan thotë se vendet anëtare të përhershme të Këshilllit të Sigurimit të OKB-së duan që t’i kthehet sa më shpejt pushteti popullit të Irakut në atë vend.

Zoti Annan e bëri këtë deklaratë të shtunën para gazetarëve në Gjenevë pas takimit të ministrave të jashtëm të këtyre pesë vendeve. Sekretari i Përgjithshëm nuk dha ndonjë afat të mundshëm për transferimin e pushtetit.

Zoti Annan e organizoi takimin e sotëm në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi faktin se kush do të drejtojë rindërtimin dhe vendosjen e sigurisë në Irakun e pas luftës.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Këshilli i Sigurimit ta miratojë shpejt një rezolutë për krijimin e një force shumëkombëshe nën komandën amerikane për të vendosur sigurinë në Irak. Por Franca dhe Rusia e ka kritikuar ashpër këtë plan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell u tha gazetarëve se ishte inkurajuar nga bisedimet e sotme, duke thënë se u arritën “pika afrimi”, por shtoi se mbeten ende disa mosmarrëveshje që do të diskutohen në bisedime që do të mbahen në New York.

Të premten Franca propozoi transferimin e pushtetit nga autoriteti i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak tek një qeveri irakiane që muajin e ardhshëm. Por sekretari Powell e quajti propozimin “krejtësish jorealist”, duke shtuar se forcat amerikane duhet të vazhdojnë t’i mbajnë kompetencat derisa irakianët të jenë të përgatitur që të ruajnë sigurinë.

Të shtunën ai tha se çdo transferim pushteti në Irak duhet të bëhet “në mënyrë të përgjegjshme”.

Zyrtarët amerikanë thonë se Sekretari Powell do të shkojë më pas në Kuvajt dhe Irak. Ai është zyrtari më i lartë amerikan që viziton Irakun që nga rënia e qeverisë së Saddam Huseinit. //kk//

XS
SM
MD
LG