Lidhje

Administrata amerikane argumenton koston e lartë të luftës kundër terrorizmit - 2003-09-14


Ndërsa anketat e reja të opinionit tregojnë se amerikanët janë të shqetësuar nga kërkesa e presidentit që Kongresi të ofrojë 87 miliardë dollarë shtesë për përpjekjet në Irak dhe Afganistan, zyrtarë të lartë të adminsitratës paraqitën të dielën në rrjete të ndryshme televizive argumentet e tyre në mbrojtje të kostos së lartë të luftës kundër terrorizmit. Tre zyrtarë të lartë të administratës shpjeguan të dielën në programet e lajmeve në televizion se përse administrata kërkon më shumë fonde.

Në emisionin Takim me Shtypin të rrjetit NBC, nënpresidenti Dick Cheney tha se në fakt Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë alternativë tjetër.

“Është një shumë e madhe. Nuk ka dyshim për këtë. Por në një vështrim afat gjatë do të ishte shumë më tepër e kushtueshme në se presim. Është në fakt më pak, se sa ngjarjet e 11 shtatorit na detyruan të shpenzojmë këtu brenda vendit”.

Nënpresidenti Cheney la të kuptohej se Shtëpia e Bardhë mund t’i kërkojë Kongresit fonde të tjera dhe ai tha se nuk mund të thotë se përsa kohë ende trupat amerikane do të qëndrojnë në numër të madh në Irak. Por ai e bëri të qartë se nuk ka kthim pas.

“Këtu është fjala për vazhdimin e një operacioni për luftën kundër terrorizmit. Dhe është shumë e rëndësishme që ai të zhvillohet siç duhet”.

Për të njëjtën temë foli edhe sekretari i Mbrojtes Donald Rumsfeld në një tjetër program televiziv, emisionin Përballë Vendit të rrjetit CBS.

“Është shumë më mirë që t’i luftojmë terroristët në Irak dhe Afganistan se sa këtu brenda Shteteve të Bashkuara”.

Sekretari Rumsfeld u pyet rreth anketës së re që tregon se shumë amerikanë janë të shqetësuar rreth kërkesës së re për 87 miliardë dollarë. 60 përqind e të anketuarve thonë se nuk e mbështesin një propozim të tillë. Sekretari i Mbrojtjes tha se publiku duhet ta kuptojë se synimi është shumë më i gjerë se sa thjesht rindërtimi i Irakut.

“Propozimi i presidentit parashikon që Iraku të hyjë në rrugën e demokracisë, të ketë një qeveri përfaqësuese, të kthehet në një vend që të jetojë në miqësi me fqinjët, në vend që t’i pushtojë ata. Kjo do të jetë një gjë shumë e mirë për gjithë rajonin. Do të jetë shumë e mirë për gjithë botën”.

Po të dielën Sekretari i Shtetit në një intervistë për CNN-in nga Bagdati, ku ishte për vizitë për t’u takuar me zyrtarët e lartë të qeverisë së përkohshme të Irakut, foli rreth përpjekjeve të administratës së presidentit Bush për të miratuar një rezolutë të re të OKB-së për Irakun, që do të nxiste dërgimin e trupave dhe fondeve nga vende të tjera.

Sekretari Powell tha se kërkesa e Francës që kontrolli i Irakut t’i jepet së shpejti vetë irakianëve nuk do të ketë sukses, pasi për këtë tranzicion duhet më shumë kohë. Zoti Powell tha se ky synim do të realizohej më shpejtë në se më shumë vende dërgonin trupa në Irak për të stabilizuar vendin.

“Ne duam trupa të tjera nga vende të tjera. Sa më shumë trupa të ketë, aq më shpejtë do të stabilizohej gjendja dhe rindërtimi do të bëhej mbi baza më të sigurta”.

Sekretari Powell shkoi në Irak pas takimit të Gjenevës të 5 vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Çështja e Irakut, tha ai, do të diskutohet të hënën nga i gjithë Këshilli i Sigurimit. //kk//

XS
SM
MD
LG