Lidhje

Pollozhani: Shpresoj se do të marrë fund diskriminimi mbi bazën e gjuhës për arsimin e lartë - 2003-09-15


Qeveria e Maqedonisë miratoi sot projektligjin për themelimin e një institucioni të tretë shtetëror për arsimin e lartë, që nënkupton legalizimin e Universitetit të Tetovës. Universiteti do të ketë katër fakultete dhe një qendër politeknike. Qeveria do të japë 2 milion euro për një vit akademik. Për të diskutuar mbi këto çështje, Zëri i Amerikës intervistoi Ministrin e Arsimit të Maqedonisë, Azis Pollozhani.

Zëri i Amerikës: Zoti Pollozhani, Universiteti i Tetovës vazhdimisht ka qenë objekt debatesh në Maqedoni. A u miratua me lehtësi projektligji në mbledhjen e qeverisë?

A. Pollozhani: Bazuar në marrëveshjet paraprake, që kur e ndërruam ligjin për shkollimin e lartë, ishte e pritur dhe e programuar, që në këtë fazë të adaptohet një ligj, i cili do të themelonte institucionin e tretë shtetëror. Debati në qeveri ishte konstruktiv dhe në funksion të gjetjes së modaliteteve më të përshtatshme, të cilat do të përmbushnin nevojat aktuale dhe do të hapte gjithsesi perspektiva për një zhvillim të ndryshëm ekonomik dhe intelektual të shqiptarëve në Maqedoni .

Zëri i Amerikës: Zoti Pollozhani, natyrisht që projektligji do të kalojë në Parlament, për t’u miratuar në ligj, por si mendoni se do të pritet ai në opinionin e Maqedonisë?

A. Pollozhani: Mendoj se edhe opinioni e ka të qartë tani, për një kohë të gjatë, se çështja e Universitetit të Tetovës, është duke ndenjur pezull për një kohë të gjatë dhe se mbi të ndërtohen edhe situata, të cilat jo rrallë i tensionojnë raportet jo vetëm etnikë, por edhe ato gjithë-shoqërore në Maqedoni. Nevoja për mbylljen me sukses të këtij procesi dhe të krijimit të një institucioni të shkollimit të lartë, mendoj se është evidente dhe besoj e mbështetur nga të gjithë qëllim-mirët, të cilët dëshirojnë në Maqedoni një të ardhme evropiane, më të begatshme dhe nga aspekti intelektual, në një nivel më të lartë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se tani do të marrin fund problemet që kanë të bëjnë me edukimin në gjuhën shqipe në Maqedoni?

A.Pollozhani: Mendoj se në arsim problemet kurrë nuk marrin fund. Ato gjithmonë krijohen, përparohen dhe gjithmonë kërkohen rrugë për modernizim dhe përshtatjen e arsimit nevojave shoqërore dhe ekonomike të një vendi. Mendoj dhe shpresoj se do të marrë fund dimensoni politik dhe diskriminimi mbi bazën e gjuhës për shkollimin e lartë. Por, të gjithë ne, kemi nevojë të punojmë shumë për të arritur kualitetin dhe nivelin e nevojshëm, që arsimin ta vëmë në zhvillimin tonë të përgjithshëm, në përputhje me normat ndërkombëtare, që ai të jetë faktor i integrimit të shqiptarëve brenda tyre, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi, në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Zoti Pollozhani, në strukturën e universitetit, sipas projektligjit të ri nuk përfshihet fakulteti i mjeksisë. Përse ndodh kjo?

A. Pollozhani: Mendoj se fakulteti i mjekësisë është një strukturë tjetër, përmbushja e kritereve të të cilit kërkon standarde specifike lidhur me shumë aktivitete, të cilat nuk kanë shumë lidhje me Ministrinë e Arsimit. Duhet marrë hapa gjithësesi, mjaft thelbësorë në drejtim të krijimit të strukturave shëndetësore të nevojshme për një institucion të lartë shëndetsor. Ne, edhe në këtë program të caktuar, që prezantojmë qeverinë, kemi njohur faktin se shqiptarët kanë nevojë për një qasje më të përfaqësuar edhe në shkencat mjekësore, porse modalitetet e kësaj qasjeje duhet të shikohen në një grup pune specialistësh, të cilët me siguri do të punojnë dhe do të ofrojnë një zgjidhje me të pranueshme, mbi bazën e normativave dhe standardeve për të realizuar edhe këtë synim të shqiptarëve, pra një prezantim dhe një qasje edhe në shkencat mjekësore, në kuadër të arsimit të lartë.

Zëri i Amerikës:A parashikohet që ky problem të zgjidhet së shpejti?

A. Pollozhani: Mendoj se në përputhje me ligjin, komisioni po punon tani konkretisht, por do të duhet të merren hapa dhe masa të nevojshme, që kjo punë të ndodhë sa më shpejt. Mendoj se hapësira dhe baza ligjore për këtë çështje tanimë është e hapur.

XS
SM
MD
LG