Lidhje

Siria sërish në shqetësimet amerikane - 2003-09-17


Administrata e Presidentit Bush e akuzoi përsëri Sirinë se nuk po bashkëpunon plotësisht në luftën kundër terrorizmit. Akuzat i bëri nënsekretari i Shtetit, John Bolton, para një komisioni të Kongresit që po shqyrtonte akuzat se Siria mbështet grupet terroriste dhe mund të synojë të prodhojë armë të shkatërrimit në masë.

Zoti Bolton thotë se adminsitrata është e shqetësuar dhe beson se Siria i ka vazhduar përpjekjet për prodhimin e armëve kimike, biologjike e, madje, bërthamore, si dhe lidhjet me grupe terroriste.”Nuk ka kërcënim më serioz ndaj vendit tonë se sa shtetet që përkrahin terrorizmin dhe kanë ose dëshirojnë të kenë armë të shkatërrimit në masë. Siria, e cila u ofron strehim dhe mbrojtje politike grupeve të tilla, si Hezbollahu, Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez, operacionet e të cilëve kanë shkaktuar vdekjen e qindra të pafajshëmve, përfshirë amerikanë, hyn në këtë kategori shtetesh që përbëjnë këtë lloj kërcënimi të mundshëm të dyfishtë”.

Pas një vizite në Damask këtë vit të Sekretari të Shtetit, Colin Powell, e cila tërhoqi mjaft vëmendje, zyrtarë amerikanë thanë se Siria ka marrë angazhime për të mbyllur zyrat e organizatave radikale palestineze në Damask, mirëpo zyrtarët kanë qenë gjithnjë e më shumë skeptikë në lidhje me mbajtjen e këtyre angazhimeve.

Komentet e zotit Bolton pasuan një deklaratë të ngjashme të Sekretarit Powell i cili tha se Siria ndodhet përballë sanksionesh të mundshme ekonomike dhe politike sipas një projektligji të Dhomës së Përfaqësuesve, i gatshëm për t’u hedhur në votë.

Administrata nuk e përkrah këtë projekligj në formën që është, por burime nga Kongresi thonë se Shtëpia e Bardhë është në dijeni që rreth 262 ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 71 të Senatit kanë shprehur miratimin e tyre. Një ligj i tillë parashikon një seri sanksionesh ndaj Sirisë, po qe se kjo e fundit nuk ndërpret mbështetjen për terrorizmin dhe nuk tërheq forcat e saj nga Libani.

Nënsekretari i Shtetit, Bolton, në dëshminë e tij para nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, u pyet nëse bashkëpunimi i Sirisë në luftën kundër terrorizmit është i mjaftueshëm për të shmangur veprimet ndëshkuese nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ai tha se Sekretari Powell mbetet i angazhuar në peshimin delikat të faktorëve diplomatikë dhe politikë dhe kjo kërkon kohë.

Nënsekretari Bolton tha gjithashtu se Siria vazhdon të lejojë luftëtarë të armatosur të kapërcejnë kufirin me Irakun. Ai tha se, me gjithë rritjen e bashkëpunimit përsa i përket çështjes së Irakut që nga rënia e Sadam Huseinit, qendrimi i mëparshëm i Sirisë vë në dukje nevojën për ta marrë seriozisht të gjithë informacionin për aftësitë e Sirisë në fushën e armëve.

Ministri i Jashtëm sirian i hodhi poshtë të hënën akuzat më të fundit të Shteteve të Bashkuara se Siria nuk po bashkëpunon duke thënë se Damsku mbetet i gatshëm të përmbushë ato që ai i quajti kërkesa të arësyeshme amerikane. //az//

XS
SM
MD
LG