Lidhje

Wesley Clark hyn në garën presidenciale - 2003-09-17


Gara për Shtëpinë e Bardhë këtu në Shtetet e Bashkuara po bëhet edhe më interesante me vendimin e demokratit të dhjetë për të konkurruar. Kandidati i ri është Wesley Clark i cili shpalli kandidaturën sot në orën 1:00, në Little Rock të shtetit Arkansas. Por sa shanse ka gjenereli në pension, mes kandidatëve të tjerë që kanë kohë që kanë filluar fushatën?

Përkrahësit e Wesley Clarkut thonë se ai do të ishte një president i mrekullueshëm dhe shumë demokratë thonë se ai do të ishte kandidati më i fortë kundër Presidentit Bush në zgjedhje.

Duke filluar që sot me shpalljen e kandidaturës, gjenerali Clark shpreson që të jetë një kandidat ndryshe. Ai nuk ka bërë ende fushatë, nuk ka mbledhur para nga përkrahësit për këtë fushatë dhe nuk ka përvojën politike që kanë kandidatët e tjerë dhe që zakonisht përcakton se kush do të emërohet si kandidat i një partie.

Shumë gjeneralë kanë qenë presidentë më parë, por siç u shpreh një analist, Wesley Clark nuk është George Washington dhe nuk është shumë i njohur në Shtetet e Bashkuara.

Wesley Clark e ka kundërshtuar luftën në Irak dhe është shprehur hapur për çështje të tjera ushtarake dhe të politikës së jashtme. “Mendoj se ky vend po kalon momente mjaft të vështira, si brenda dhe jashtë kufijve dhe mendoj se ka nevojë për një udhëheqje të fortë dhe largpamëse që ta çojë përpara dhe kjo më bëri që të marr këtë vendim”, tha ai dje.

Megjithëse qëndrimet e tij në politikën e brendshme janë ende një mister për shumë votues, dje dhe sot në një fushatë “jozyrtare” përmes intervistave në stacione televizive, gjenerali në pension foli për ekonominë dhe çështje të tjera shoqërore. “Kemi humbur 2.7 milionë vende pune këto dy vjet e gjysmë. Duhet të hapim vende të reja pune. Duhet të hapim 125 mijë vende pune në muaj”, tha ai dje, ndërsa sot u shpreh se i njeh mirë problemet e sistemit shëndetësor, sigurimet shoqërore dhe të tjera që mund të jenë çështjet që tërheqin votuesit.

Ja ç’thotë për të Stuart Rothenberg, analist politik: “Ai di të flasë shumë mirë, është karizmatik. Por në fund të fundit ajo që ka rëndësi, është a do të jetë kandidat i mirë?”, tha ai.

Shumë njerëz mendojnë se me përvojën e tij në çështje ushtarake dhe ndërkombëtare, gjenerali do të ishte një kundërshtar i fortë për Presidentin Bush. Si ushtarak, Wesley Clark ka edhe një të veçantë tjetër. Në Shtetet e Bashkuara, zakonisht ushtarakët e karrierës nëse hyjnë në politikë, hyjnë në emër të Partisë Republikane, ndërsa ish-gjenerali është rreshtuar me demokratët.

Zoti Clark ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera Akademinë Prestigjioze ushtarake, West Point këtu në Shtetet e Bashkuara. Ka diploma pasuniversitare në filozofi, politikë dhe ekonomi. Ai është i martuar dhe ka një djalë.

Për publikun shqiptar, sigurisht që Wesley Clark është shumë i njohur dhe i respektuar për rolin e tij si personi që udhëhoqi fushatën e goditjeve ajrore në krye të NATO-s në vitin 1999 në Kosovë.

//rd//

XS
SM
MD
LG