Lidhje

Palestinezët shprehin shqetësim për fatin e udhëheqësit të tyre - 2003-09-17


Zyrtarët palestinezë po shprehin shqetësime të mëtejshme lidhur me fatin e udhëheqësit të tyre Jaser Arafat, pasi Shtetet e Bashkuara vunë veton ndaj një rezolute të OKB-së, e cila synonte ta mbronte atë nga kërcënimi izraelit për vrasjen, apo heqjen e tij nga pushteti.

Zyrtarët palestinezë thonë se druhen se Izraeli mund ta interpretojë veprimin e Shteteve të Bashkuara, si një leje për vrasjen e presidentit palestinez.

Shtetet e Bashkuara vunë dje veton ndaj rezolutës, e cila përkrahet nga vendet arabe, duke thënë se ajo nuk dënon hapur organizatat terroriste palestineze që kryejnë vrasje ndaj izraelitëve. Por ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Negroponte, tha se Washingtoni e kundërshton idenë e eliminimit të zotit Arafat, apo mërgimin e tij të detyruar nga Izareli.

Zoti Arafat nuk e pranoi veton e vendosur dje nga Shtetet e Bashkuara. Duke folur para përkrahësve të tij në selinë e tij në Bregun Perëndimor, zoti Arafat tha se palestinezët ”nuk tronditen” nga një rezolutë, kudo që të merret vendimi i saj.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Ariel Sharon e shtyu takimin e sotëm të kabinetit të tij të sigurisë, i cili ishte caktuar të merrte një vendim në lidhje me drejtimin që do të ndiqte një sektor i ri i gardhit të debatueshëm të sigurisë, që ata duan të ndërtojnë në Bregun Perëndimor.

Zyra e zotit Sharon tha sot se kryeministri ka një orar tepër të ngjeshur, por Minsitri izraelit e Strehimit, Effi Eitam, thotë se takimi ishte shtyrë për shkak të trysnisë amerikane.// lk //

XS
SM
MD
LG