Lidhje

Serwer: bisedimet Prishtinë-Beograd kërkojnë më shumë përgatitje - 2003-09-17


Daniel Serwer, Drejtor i Nismës Ballkanike pranë Institutit Amerikan të Paqes, thotë se bisedimet për çështjet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit kërkojnë ende shumë përgatitje nga të dyja palët. Zoti Serwer, i cili sapo është kthyer nga një vizitë në Kosovë, tha se edhe komuniteti ndërkombëtar ka nevojë për më shumë kohë për të përcaktuar kornizën e bisedimeve dhe çështje të tjera. Sidoqoftë, theksoi ai, këto bisedime nuk mund të shmangen, pavarësisht se cila do të ishte zgjidhja për statusin përfundimtar, pasi Kosova dhe Serbia do të jenë fqinjë të përjetshëm. Zoti Serwer u intervistua nga kolegu ynë Ilir Ikonomi dhe nga gazetari i shërbimit serb të Zërit të Amerikës, Darko Popoviç.

Zoti Serwer thotë se nuk është e qartë se kur mund të fillojnë bisedimet. Duket se ende ka nevojë për disa përgatitje. Nuk është e qartë se cili do të jetë lehtësuesi, kush do të jetë nga njëra e tryezës dhe kush në tjetrën. Gjithashtu nuk është e qartë se cili do të jetë rendi i ditës, tha ai.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara mund të luajnë rolin e ndërmjetësit në këto bisedime, zoti Serwer tha se në Ballkan nuk mund të ketë sukses në rast se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk veprojnë së bashku dhe nuk e mbështesin fuqimisht njëri tjetrin. Unë nuk e kam parë këtë ende përsa u përket këtyre bisedimeve, tha zoti Serwer. Nuk mendoj se kjo është e pamundur. Por deri tani një gjë e tillë është lënë në duart e UNMIK-ut.

”UNMIK-u ka një problem sepse ai ka një pjesë të kompetencave që kanë të bëjnë me rendin e ditës të këtyre bisedimeve. Dhe kjo do të thotë se përveç të qënit lehtësues, UNMIK-u do të duhet të jetë edhe në anën kosovare të tryezës. Dhe deri sa kjo të sqarohet, pra se si do të rregullohet një gjë e tillë, është e vështirë të parashikosh sukses.

I pyetur nëse janë apo jo shqiptarët të përgatitur për këto bisedime, zoti Serwer tha se ata janë duke u përgatitur. Javën e kaluar zoti Serwer ishte në Kosovë pikërisht për të ndihmuar palën kosovare të përgatitej për bisedimet, por ai thotë se atyre u duhet më shumë kohë. Është e qartë, tha zoti Serwer se komuniteti ndërkombëtar ka nevojë për më shumë kohë për të përcaktuar kornizën e bisedimeve dhe ky do të jetë objekt i mbledhjes së grupit të kontaktit brenda këtij muaji.

Kur të jetë bërë kjo, kur ata të kenë përcaktuar qartë kornizën e bisedimeve, pamjen që do të ketë tryeza, si dhe rendin e ditës, atëhere mendoj se do të kenë filluar edhe përgatitjet serioze, tha zoti Serwer.

I pyetur nga gazetari i shërbimit serb të komentonte mbi rëndësinë që dialogu do të kishte për sigurimin në Kosovë dhe në rajon, zoti Serwer tha se është dakord me idenë që bisedimet të fillojnë sa më shpejt. Por këtu, tha ai, duhen patur parasysh dy gjëra: nga njëra anë, nevojat politike, dhe nga ana tjetër kërkesat teknike, pra kur do të jenë palët gati për t’i filluar bisedimet. Natyrisht ka mënyra për t’i filluar bisedimet në një formë paraprake dhe të lejohet një farë kohe për përgatitje. Pra mendoj se do të shohim një farë kompromisi për çështjen se kur do të fillohet. Por nuk mund të fillohen bisedimet pa qenë e qartë se cila do të jetë korniza e tyre, kudh do të ulet në tryezë dhe cilat do të jenë rolet e pjesmarrësve në to.

Gazetari i shërbimit serb i kërkoi zotit Serwer të komentojë gjithashtu mbi disa forca në Kosovë që janë për pavarësi të menjëhershme dhe kundër dialogut. Është shumë e qartë, tha zoti Serwer se në Kosovë ka forca politike që i kundërshtojnë këto bisedime dhe që do të donin ta shpallnin pavarësinë në mënyrë të njëanshme.

Nuk mendoj se kjo do të ishte e dobishme, por nga ana tjetër, edhe në Beograd ka njerëz që janë në favor të veprimeve të njëanshme të tilla si për shembull dërgimi përsëri i trupave në Kosovë ose rivendosja e sovranitetit në një farë mënyre.

Fakt është se këto bisedime nuk mund të shmangen, pavarësisht se cila do të ishte zgjidhja për statusin përfundimtar. Kosova dhe Serbia do të jenë fqinjë të përjetshëm. Ata duhet të jenë në gjendje të rregullojnë çështjet e kufirit midis tyre, do të duhet të luftojnë së bashku krimin e organizuar, të zgjidhin disa çështje të mbetura nga e kaluara, jo vetëm çështja e krimeve të luftës por edhe e dokumentacionit si për serbët dhe për shqiptarët, çështje të telekomunikacionit, të elektricitetit, të cilat do të ekzistojnë, pavarësisht se cili do të jetë statusi përfundimtar, tha zoti Daniel Serwer, i Institutit Amerikan të Paqes.

//rd//

XS
SM
MD
LG