Lidhje

SHBA: Uragani Izabelë kthehet në stuhi tropikale - 2003-09-18


Ekspertët thonë se Uragani Izabelë e ka ulur fuqinë dhe është kthyer në një stuhi tropikale pas dëmeve që shkaktoi duke lënë shtëpi të shumta pa energji elektrike në shtetet Virginia, Maryland dhe në kryeqytetin Washington.

Meteorologët thonë se Uragani Izabelë do të kalojë pranë Uashingtonit, rreth 100 kilometra në perëndim të tij.

Stuhia po dobësohet sa më shumë që hyn në thellësi të vendit por erërat e forta që e shoqërojnë vazhdojnë të shkulin pemë të shumta dhe të sjellin reshje të dendura shiu në brigjet lindore të Amerikës.

Uragani Izabelë i ka detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuime në masë dhe ka lënë qindra mijra njerëz pa energji elektrike në Karolinën e Veriut dhe në Virginia. Zyrtarët thonë se për shkak të uraganit një person ka humbur jetën në afërsi të kryeqytetit të Virginias, Richmond, si pasojë e përplasjes së makinës së tij.

Presidenti Bush i ka shpallur Karolinën e Veriut dhe Virginian zona të prekura nga fatkeqësia duke zhbllokuar fonde federale për këto dy shtete.

Në Uashington, qeveria federale mbylli dje shumicën e agjencive të saj dhe njoftoi se mbyllja do të vazhdojë edhe sot.

Autoritetet kanë pezulluar sistemin e transportit tranzit në Uashington ndërsa në pjesën verilindore të vendit janë anuluar gjithsej 1 mijë fluturime ajrore.

Meteorologët thonë se stuhia mund të shkaktojë përmbytje masive sidomos në zonat e brendshme të vendit.//ii

XS
SM
MD
LG