Lidhje

Kofi Annan kerkon nje mandat te qarte te OKBse ne Irak - 2003-09-19


Diplomatët thonë se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, kërkon një mandat të Këshillit të Sigurimit, ku të përcaktohet shprehimisht roli i organizatës botërore në Irak para se ai të dërgojë përsëri personel në Bagdad.

Diplomatët thonë se pas shpërthimit të muajit të kaluar në selinë e misionit të OKB-së në Bagdad, zoti Anan kërkon arsye të forta për të dërguar punonjës në një mjedis të pasigurt.

Shpërthimi i 19 gushtit shkaktoi vdekjen e 12 vetave, përfshirë shefin e misionit të OKB-së në Irak, Sergio Fieira de Mello. Pak pas shpërthimit, organizata botërore tërhoqi pjesën më të madhe të personelit të saj nga Iraku.

Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një projektrezolutë në Këshillin e Sigurimit, e cila do t’i jepte OKB-së mandatin për të dërguar një forcë shumëkombëshe në Irak dhe për të nxitur më shumë vende që të dërgojnë trupa dhe ndihma financiare.

Mirëpo, sipas projektrezolutës së propozuar nga Uashingtoni, forca shumëkombëshe do të ishte nën komandën amerikane dhe roli i Kombeve të Bashkuara do të ishte i kufizuar.

Franca, Gjermania dhe vende të tjera anëtare të Këshillit e kanë kritikuar ashpër propozimin amerikan, duke thënë se ato kërkojnë që Shtetet e Bashkuara ta kthejë më shpejt kontrollin politik në duart e popullit irakian.

Dje, Presidenti Bush tha se nuk mendon që rreth projektrezolutës të arrihet një marrëveshje para fjalimit që ai ka në plan të mbajë të martën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Zyrtarë francezë thonë se presidenti Zhak Shirak do të takohet të martën me Presidentin Bush për të diskutuar rreth mosmarrëveshjeve lidhur me Irakun. Shtëpia e Bardhë ende nuk ka konfirmuar njoftimin për këtë takim, i cili do të ishte i pari midis Presidentit Bush dhe homologut të tij francez që nga takimi i nivelit të lartë të vendeve të industrializuar në qershor të këtij viti.

//rd//

XS
SM
MD
LG