Lidhje

Vizita e Sekretarit Powell në Irak - 2003-09-19


Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që çliroi Irakun nga diktatura e Sadam Huseinit ka bërë një përparim të madh brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe. Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell shkoi kohët e fundit për vizitë në Irak. Ai tha se megjithëse ka ende shumë punë për të bërë, ai kishte marrë zemër nga çka kishte parë atje.

“Pashë njerëz që i ishin futur punës për të rindërtuar vendin, për të ringritur shoqërinë. Pashë njerëz që punonin duke e ditur se Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin ata në këtë punë”.

Gjatë vizitës në Bagdad, Sekretari i Shtetit Powell mori pjesë në një mbledhje të këshillit të qytetit. Ai tha se i kishte bërë përshtypje morali i lartë i atyre që po ndërtojnë institucionet e reja demokratike. “Këshilli i Qytetit diskutoi për të gjitha gjërat që një këshill i tillë diskuton zakonisht: mjedisin, arsimin, rolin e grave në jetën e qytetit. Kështu që këto përpjekje janë gjithë gjallëri, të cilën unë ia atribuoj erërave të lirisë që po fryjnë tani në gjithë vendin”.

Kjo liri u hapi rrugën caktimit të një kabineti kalimtar irakian, hapave drejt krijimit të një gjyqësori të pavarur dhe përmirësimit të ekonomisë, sigurisë dhe infrastrukturës së Irakut. Dhe kjo po çon tek synimi kryesor: kalimi i përgjegjësive tek irakianët e lirë. Siç tha zoti Powell, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre të koalicionit janë të angazhuar për këtë qëllim, por realizimi i tij do të kërkojë kohë dhe durim. “Ne nuk duam që irakianët të dështojnë. Ata kanë nevojë për kohë që të organizojnë ministritë e tyre, t’i pajisin ato me personel, të fillojnë të funksionojnë. U duhet kohë për të hartuar një kushtetutë dhe pasi ajo të hartohet dhe ratifikohet, u duhet kohë për të zhvilluar zgjedhjet. Ne duam që t’ia kalojmë qeverisjen popullit të Irakut, por me një udhëheqje irakiane të zgjedhur nga populli, jo thjesht një grupi individësh të emëruar”.

“Gjëja më e keqe që mund të ndodhë në Irak”, tha Sekretari Powell, “është që të kërkojmë që ky proces të bëhet me nxitim, para se atje të jetë krijuar aftësia për qeverisje dhe baza për legjitimitet”. Por siç ka thënë Presidenti Bush, “Iraku i afrohet çdo ditë e më shumë shoqërisë së lirë dhe funksionuese, e cila i është mohuar për një kohë të gjatë”.//kk//

XS
SM
MD
LG