Lidhje

Rusia e gatshme te bashkepunoje me SHBA-ne per Irakun - 2003-09-21


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se është gati të lërë mënjanë mosmarrëveshjet për luftën në Irak dhe të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për të rindërtuar atë vend.

Duke folur të shtunën me gazetarët amerikanë në rezidencën e tij pranë Moskës, zoti Putin tha se nuk përjashton mundësinë që trupat ruse të shërbejnë nën komandën amerikane në Irak, megjithëse aktualisht nuk ka plane për një dislokim të tillë.

Udhëheqësi rus vjen këtë javë në Shtetet e Bashkuara dhe do të mbajë një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si edhe do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me Presidentin Bush.

Presidenti rus tha se do ta mbështeste rezolutën që Shtetet e Bashkuara i kanë propozuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku autorizohet një forcë më e gjerë në Irak, por vetëm nëse Kombet e Bashkuara do të kishin një rol të rëndësishëm.

Presidenti Putin shprehu të njejtat shqetësime si edhe Shtetet e Bashkuara lidhur me ambicjet bërthamore të Iranit. Ai i kërkoi Teheranit që të pranonte masa të tjera ndërkombëtare sigurie, duke nënshkruar protokollet e kërkuara nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike e OKB-së.

Iraku, Irani dhe çështje të tjera pritet të jenë në programin e bisedimeve të premten dhe të shtunën e ardhshme, kur presidentët Bush dhe Putin të takohen në rezidencën presidenciale në Camp David. Udhëheqësi rus do të arrijë në New York të mërkurën për të folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. //kk//

XS
SM
MD
LG