Lidhje

Bremer: Iraku nuk është gati për vetëqeverisje - 2003-09-22


Kryeadministratori amerikan për Irakun, Paul Bremer, thotë se ky vend nuk është gati për vetëqeverisje. Zoti Bremer e bëri këtë koment ndërkohë që njoftohet se disa anëtarë të Këshillit Qeverisës irakian të emëruar nga Shtetet e Bashkuara po kërkojnë më shumë kontroll mbi procesin e rindërtimit të vendit.

Edhe Franca e Gjermania po bëjnë thirrje për një rol më të madh të Kombeve të Bashkuara në Irak dhe për kalimin e shpejtë të pushtetit në duart e irakianëve.

Mirëpo, zoti Bremer theksoi se irakianët nuk janë të gatshëm për vetëqeverisje. Ai tha se krijimi i Këshillit Qeverisës në muajin korrik ishte një transferim i rëndësishëm i pushtetit të pjesëshëm, por sovraniteti i plotë për irakianët duhet të presë derisa ky vend të ketë kushtetutën e re dhe të zhvillojë zgjedhjet.

Disa anëtarë të Këshillit Qeverisës i thanë gazetës Nju Jork Tajms se kanë në plan t’i thonë Kongresit amerikan këtë javë se kalimi i kontrollit më të madh në duart e irakianëve do t’u kursente para taksapaguesve amerikanë.

Anëtari i Këshillit, Ahmed al-Barak, tha se amerikanët në Irak po i kushtojnë dy deri në tri herë më shumë kohë sigurisë së tyre, sesa sigurisë për popullin irakian. Presidenti Bush i ka kërkuar Kongresit një shumë prej 87 miliardë dollarësh për vitin e ardhshëm për të financuar operacionet ushtarake dhe të ndërtimit në Irak dhe Afganistan.// lk //

XS
SM
MD
LG