Lidhje

Vrasjet "për çështje nderi" të dënueshme - 2003-09-23


Në Jordani vazhdojnë me ritëm alarmues të ashtuquajturat vrasje për çështje nderi. Kohët e fundit, tre vëllezër pohuan se kishin vrarë më sëpatë dy motrat e tyre për shkak se kishin ikur nga shtëpia. Më e madhja ishte larguar para gati dy vjetësh për t’u martuar kundër dëshirës së familjes, ndërkohë që më e vogla ishte larguar para tre muajsh për t’u bashkuar me të. Këto vrasje “për nder”, siç quhen, përgjithësisht bëhen nga burra të familjes.

Një grua apo një vajzë mund të vriten në se janë martuar me dikë për të cilin familja nuk është dakord, në se kanë kërkuar divorc, në se janë përdhunuar, në se dyshohen për tradhëti bashkëshortore, shihen me dikë pa lejen e prindërve apo edhe vetëm në se janë bërë objekt thashethemesh.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Adam Ereli, i dënoi këto vrasje të liga, si u shpreh ai. ”Këto njoftime, tha ai, janë një kujtesë drithëruese e faktit se të ashtuquajturat vrasje nderi vazhdojnë të pengojnë përpjekjet e vendeve të tilla, si Jordania për ta bërë ligjin të barabartë për të gjithë qytetarët e saj”.

Sipas ligjeve aktuale të Jordanisë, ata që shpallen fajtorë për vrasje nderi, shpesh ndëshkohen me dënime të lehta, si për shembull 6 muaj burgim. Disa ia dalin të mos shkojnë fare në burg.

Gjatë javëve të fundit, dhoma e ulët e parlamentit jordanez rrëzoi dy herë projektligje për dënime më të ashpra të burrave që vrasin motrat, gratë apo kushërirat e tyre. Kjo duhet të ndryshojë. Siç u shpreh zoti Ereli, është koha që qeveria e Jordanisë të marrë masa për të garantuar mbrojtje ligjore për të gjithë qytetarët e saj, si dhe mundësinë për të ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre krimeve.

Vrasjet e nderit kanë rrënjë në traditat beduine të Jordanisë. Kodi i vrasjeve të nderit e ka origjinën tek ligjet e dikurshme të vendosura nga mbreti i Babilonisë, Hammurabi, dhe ligjet asiriane që nga viti 1200 para erës sonë, në bazë të të cilave, virgjëria e gruas konsiderohet pronë e familjes.

Kjo praktikë është e përhapur madje edhe tek arabët nëpër zona urbane dhe aplikohet si tek myslimanët, ashtu edhe tek të krishterët. Sipas statistikave të publikuara, një jordaneze në javë vritet për sjellje që, nga pjesëtarët e familjes, konsiderohet si e turpshme. Këtu mund të përfshihen edhe viktimat e thashethemeve apo femra që janë përdhunuar.

Përveç Jordanizë, vrasjet e nderit janë një problem në shumë vende të tjera. Ato aplikohen në Bangladesh, Egjipt, Pakistan, Turqi, Jemen dhe Irak. Në të gjitha vendet, ku ndodhin vrasje të tilla, qeveritë kanë nevojë të miratojnë dhe vënë në zbatim ligjet e duhura. Të gjithë njerëzit, përfshirë gratë, meritojnë të konsiderohen të barabartë para ligjit.

XS
SM
MD
LG