Lidhje

Libri “Ronald Reagan: Një jetë në letra” - 2003-09-23


Ronald Reagan mbetet misteri i pazgjidhur i politikës moderne amerikane. Ai theu rregulla, kapërceu të gjitha parashikimet dhe befasoi edhe njerëzit që e njohin më nga afër. Një libër që u botua këtë javë këtu në Shtetet e Bashkuara, zbulon një pjesë të këtij misteri, përmes korrespondencës së tij. Mesa duket presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara shkruante letra vazhdimisht. Ai u shkruante udhëheqësve botërorë, politikanëve, miqve, anëtarëve të familjes dhe qytetarëve të zakonshëm.

Aftësitë e ish-presidentit në komunikimin me të tjerët ishin të njohura, por në librin “Ronald Reagan: A life in letters”, “Ronald Reagan: Një jetë në letra”, del në pah pasioni i tij për të shkruar. Letrat u gjetën në fillim nga një profesore, ndërsa bënte studime për fundin e Luftës së Ftohtë. Ajo bashkëpunoi me dy ish-këshilltarë të Presidentit Reagan për t’i bledhur ato në një libër. Ish-presidenti shkruante sa herë gjente një mundësi, apo çast të lirë. Natën, në dhomën e gjumit, në makinë. Gruaja e tij, Nancy Reagan donte që letrat e tij të bëheshin publike, pasi thotë se ishte e shqetësuar se njerëzit nuk e kishin marrë aq seriozisht sa ç’duhej bashkëshortin e saj.

Ja ç’tha ajo në një intervistë me rrjetin televiziv, ABC: “Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë, ta shohin (sigurisht që unë jam pak e njëanshme), shpresoj që të shohin sa tërheqës ishte ai, sa me humor, sa i zgjuar, sa i mençur”, thotë ajo.

Në libër përfshihen mbi 5 mijë letra. Ato janë të thjeshta dhe të ngrohta. Ato lënë të kuptohet se ishin për Ronald Reaganin më shumë nevojë jetike si ushqimi dhe uji, sesa zakon. Ai nuk shtypte, ai shkruante me dorë.

Një nga letrat më domethënëse është ajo që ish-presidenti i shkroi në fillim të mandatit të tij, presidentit sovjetik Leonid Brezhnjev. Një nga ish-këshilltarët e presidentit Reagan, mendon se ajo letër ishte fillimi i fundit të Luftës së Ftohtë. Brezhnjevi ishte shprehur me zemërim se Shtetet e Bashkuara kërcënonin sigurinë e Bashkimit Sovjetik.

Ja ç’shkruan ish-presidenti Reagan: “Kur Lufta e Dytë Botërore mbaroi, Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi vend në botë me fuqi industriale të padëmtuar. Forca e saj ushtarake kishte arritur kulmin dhe ne ishim të vetmit që kishim armën më moderne, bombën bërthamore me aftësinë e padiskutueshme për ta përdorur kudo në botë. Nëse do të kishim dashur të mbizotëronim botën, kush mund të na kundërshtonte?”, shkruan ai.

I njëjti njeri, të cilit i njihet merita se fitoi Luftën e Ftohtë, në një letër tjetër zbulon një anë tjetër të tij: butësinë dhe ngrohtësinë, ndërsa i jep këshilla një mikes së tij të zhgënjyer nga dashuria:

“Bota është e mbushur me njerëz të vetmuar, njerëz që mund të japin lumturi dhe dashuria nuk është një dorë magjike me pluhur yjesh që paravendos që njeri dhe vetëm një është i destinuar për një tjetër. Dashuria dalëngadalë mund ta humbasë ngrohtësinë dhe miqësinë dhe askush nuk duhet të ketë frikë ta kërkojë atë”.

Gruaja e tij Nancy tha në intervistën për televizionin ABC se mendon se është për të ardhur keq që kanë mbetur pak njerëz që shkruajnë kështu.

“Mendoj se shumë gjëra kanë humbur, thotë ajo. Një mesazh elektronik nuk mund ta mbash pranë kur fle. As telefoni nuk ka të njëjtin efekt. Por nëse ke një letër të tillë përpara dhe mund ta lexosh, siç mund t’i lexoj unë letrat e tij, ka një kuptim të madh”, thotë ajo.

//rd//

XS
SM
MD
LG