Lidhje

Ministri Rama kërkon profesionalizëm nga policia shqiptare në zgjedhjet vendore - 2003-09-23


Rolit të policisë shqiptare në zgjedhjet e afërta për pushtetin vendor po i kushtohet një vëmëndje e veçantë. Që nga presidenti i Republikës, kryeministri e vëzhguesit ndërkombëtar dhe përfaqësuesit diplomatik po këmbëngulin për nevojën e paanësisë së saj gjatë votimeve.

Një shqetësim që nuk habit askënd, duke qënë se në historinë e shkurtër të demokracisë shqiptare, policia ka menduar më tepër të sigurojë fitoren e partisë në pushtet.

Sot ministri i rendit, Luan Rama u kërkoi drejtuesve kryesor të policisë të të gjithë vendit që çdo punonjës të dëshmojë neutralitet absolut dhe vendosmëri në kryerjen e detyrës. “ Të garantohet një mjedis plotësisht i sigurt dhe i paprekshëm për lirinë absolute e të padiskutueshme të votimit, për veprimtarinë e komisionit të qëndrës së votimit, për mos cënimin e integritetit të procesit dhe për sigurimin e materialeve zgjedhore”, tha zoti Rama.

Ministri Rama shpjegoi se për ditën e zgjedhjeve, çdo drejtori do të ketë një pikë kontakti për të grumbulluar të gjithë informacionin për ecurinë e procesit të votimit. “Kam urdhëruar që pranë çdo drejtorie qarku të caktohet një pikë kontakti që do të informojë dhe do të informohet nga subjektet elektorale, nga KQZV-të, komisionet e qëndrave të votimit, vëzhguesit, monitorët ndërkombëtar, gazetarët dhe të gjithë të interesuarit”

Zoti Rama morri pjesë në një takim për trajminim e policisë gjatë votimit, organizuar së bashku me Komitetin Shqiptar të Helsinkit dhe Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Kryetari i KQZ, Ilirian Celibashi tha se po përgatitet një udhëzim për të detajuar detyrimet dhe rregullat që policia duhet të përmbushë gjatë ditës së votimit.

Ditët e fundit, çështja e angazhimit të policisë në zgjedhje ka hapur debate të ashpra. Qeveria miratoi javën e kaluar një ndryshim të strukturave që do të përdoren për ruajtjen e qendrave të votimit, për shkak se vetëm forcat e rendit nuk mund të mbulonin të gjithë territorin e vendit. Kjo çështje tashmë do të diskutohet në parlament por opozita ka bërë të qartë se është kundër këtyre ndryshimeve të cilat sipas saj janë bërë me qëllim për manipulimin e zgjedhjeve.

//rd//

XS
SM
MD
LG