Lidhje

Presidenti Bush mbante fjalimin; ligjvënësit në kongresin amerikan debatonin rreth politikës në Irak - 2003-09-24


Ndërsa presidenti mbronte vendimin e tij për të hyrë në luftë në Irak dhe fliste rreth përparimit drejt qëndrueshmërisë dhe demokratizimit në atë vend, demokratët në senat po i bënin sfidë politikës së administratës lidhur me Irakun.

Senatori Patrick Leahy nga shteti Vermont kritikoi ato që ai i cilësoi si deklarata të paqëndrueshme rreth motiveve të luftës dhe parashikimet çorientuese rreth rreziqeve, që u kanosen ushtarëve amerikanë, dhe kostos së ndërhyrjes ushtarake amerikane në atë vend.

“Realiteti është se që prej rënies së Bagdadit, thuajse çdo gjë që Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni kanë parashikuar rreth Irakut ka qënë e gabuar. Por një gjë të tillë nuk mund ta mësosh nga deklaratat e zyrtarëve në Washington, të cilët bëjnë vlerësime të paqarta dhe tepër optimiste.”

Ligjvënës të tjerë mirëpritën përpjekjet e presidentit Bush për të bindur vende të tjera që të angazhohen më shumë në rindërtimin e Irakut. Megjithatë, disa demokratë kritikuan refuzimin nga presidenti që t’u japë Kombeve të Bashkuara një rol udhëheqës në rindërtimin fizik dhe politik të atij vendi.

Senatori Ted Kennedy ka qënë për një kohë të gjatë kritik i politikës së administratës amerikane në Irak.

“Në fjalimin para Kombeve të Bashkuara, presidenti duhet të kishte marrë përgjegjësinë për gabimet e administratës së tij për të filluar luftës pa një mbështetje të gjerë të komunitetit ndërkombëtar. Ne duhet të angazhojmë Kombet e Bashkuara në një mënyrë kuptimplote në procesin kalimtar të Irakut. Politika jonë nuk mund të bazohet vetëm në përfitime për vete, por jo për të tjerët.”

Senatori Kennedy shkaktoi një furtunë debatesh kontradiktore javën e kaluar kur ai tha gjatë një interviste se argumenti për të hyrë në luftë në Irak ishte, siç u shpreh ai, ”një mashtrim,” i përpunuar në Texas, shteti nga vjen presidenti, për t’u dhënë republikanëve një shtytje politike.

Presidenti Bush i cilësoi komentet e senatorit si të paqytetëruara.

Republikanët në senat, përfshirë edhe senatorin John Warner nga Virxhinia, kryetar i komisionit për forcat e armatosura, tha se komentet e senatorit Kennedy dëmtojnë moralin e trupave amerikane dhe të familjeve të tyre.

“Mendo për një minutë rreth reagimit të një bashkëshorteje të re, e rrethuar nga fëmijë të vegjël, e cila nuk e di në se burri i saj do t’u shpëtojë operacioneve të ditës në Afganistan ose në Irak. Këta familjarë dëgjojnë komente të tilla se e gjithë lufta ishte një mashtrim ndaj kësaj familjeje, që u thur në Texas. Komente të tilla i shikoj si shumë të dhimbshme.”

Por demokratët u përgjigjën se republikanët po bëjnë, atë që e cilësuan, si “një përpjekje të orkestruara për të sulmuar ata, që kritikojnë.” Ja si u shpreh udhëheqësi i pakicës demorate në senat, senatori Tom Daschle.

“Duket sikur çdo njeri që shpreh shqetësime ose shpreh pikpamjet e tij ose të saj mbi Irakun është objekt sulmi, pavarësisht se cilat janë këto pikpamje. Të vësh në dyshim patriotizmin e dikujt, motivet ose t’i bësh sfidë integritetit të një kritiku është diçka e gabuar.”

Debati në kongres zhvillohet ndërkohë që ligjvënësit po shqyrtojnë kërkesën e presidentit Bush prej 87 miliardë dollarësh për operacionet amerikane në Irak dhe në Afganistan.

//ze//

XS
SM
MD
LG