Lidhje

Shtetet e Bashkuara mbështesin bisedimet Prishtinë-Beograd - 2003-09-24


Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen seriozisht për fillimin e dialogut mbi çështjet praktike. Në një takim të martën në Nju Jork, Grupi i Kontaktit mbeshteti propozimin e administratorit të Kosovës, Harri Holkeri, që bisedimet të fillojnë nga mesi i muajt tetor në Vjenë. Në takimin e Grupit të Kontaktit, Shtetet e Bashkuara përafaqësoheshin nga Ambasadori Larry Rossin, ndihmës zëvëndës sekretar i shtetit për çështjet evropiane. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Ambasadori Rossin tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të gjitha përpjekjet që bisedimet të kenë sukses.

Zëri i Amerikës: Zoti Rossin cilat janë përfundimet kryesore në të cilat arriti Grupi i Kontaktit pas takimit të tij të martën në Nju Jork?

Larry Rossin:Përfundimet kryesore që u parashtuan në deklaratën e Grupit të Kontaktit dhe tema kryesore e takimit ishte puna që po bën adminsitratori i Kosovës Harry Holkeri për fillimin e dialogut të drejtpërdrejtë për çështjet praktike midis Beogradit dhe Prishtinës. Dhe ashtu siç theksohet edhe në deklaratë ai synon t’i fillojë bisedimet në mes të muajit tetor, gjë të cilën ne e mbështetëm plotësisht dhe do të bëjmë përpjekjet tona që ato të kenë sukses.

Zëri i Amerikës:Çfarë roli do të luajnë Shtetet e Bashkuara në bisedime? A do të ketë një përfaqësues amerikan në to?

Larry Rossin:Ne nuk parashikojmë një skenar në të cilin në tryezën e bisedimeve do të ketë përfaqësues amerikan apo të ndonjë vendi tjetër të Grupit të Kontaktit. Unë parashikoj që në ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë përfaqësues të lartë si amerikanë ashtu edhe të vendeve të tjera të Grupit të Kontaktit. Por pas saj, bisedimet janë midis Prishtinës dhe Beogradit, për çështjet teknike dhe do të ishte mirë që struktura e takimit të ishte e tillë që ajo të përqëndrohej në bisedimet midis këtyre dy palëve. Unë do të parashikoja që Shtetet e Bashkuara do të jenë të pranishme aty pranë dhe do të ndihmojnë në mënyrë të tillë që bisedimet e drejtëpërdrejta mes tyre të jenë të suksesshme.

Zëri i Amerikës:Pra bazuar në këtë që thatë, a do të përfaqësohet delegacioni i Kosovës nga politikanë vendas apo nga UNMIK-u?

Larry Rossin:Me sa di unë nga plani që ka administratori Holkeri, delegacioni i Kosovës do të përfaqësohet kryesisht nga institucionet e përkohshme, nga udhëheqësit vendas, dhe pas ceremonisë së çeljes, bisedimet do të kryesohen nga ekspertët. Në delegacionin e Kosovës do të jetë i pranishëm edhe UNMIK-u dhe kjo edhe për arësye praktike pasi disa prej çështjeve që do të diskutohen mund të jenë kompetencë e institucioneve të përkohshme, por disa mund të jenë në kompetencat e administratës ndërkombëtare, prandaj është e nevojshme një prani e tillë e përbashkët.

Zëri i Amerikës:Grupi i Kontaktit kishte disa vite që nuk ishte mbledhur, ndërsa tani brenda një kohe të shkurtër është mbledhur dy herë. Cila është domethënia e riaktivizimit të tij?

Larry Rossin:Më duket se ky përcaktim nuk është shumë i saktë. Që kur isha ambasador në Kroaci herë pas here kam patur rastin të marrë pjesë në biseda të Grupit të Kontaktit në Evropë në vende të ndryshme. Domethënia, ndoshta thënë më mirë, takimet e këtij grupi në nivel më të lartë që janë zhvilluar kohët e fundit, është për shkak të proceve të rëndësishme që po ndodhin dhe pa dyshim fillimi i dialogut të drejtëpërdrejtë midis Prishtinës dhe Beogradit për çështjet praktike është një hap i madh dhe Grupi i Kontaktit dëshiron të punojë me adminsitratorin Holkerri për formën e tyre, por edhe për të dhënë ndihmën e vet maksimale që ky proces i vështirë që po fillon të jetë i frytshëm.

Zëri i Amerikës:Në se bisedimet e Vjenës do të jenë të suksesshme dhe nuk do të zvarriten pafundësisht, cili parashikoni se do të jetë hapi tjetër?

Larry Rossin: Ndoshta karakterizimi i bisedimeve që i bëni ju bisedimeve të Vjenës, mund të jetë pak i ndryshëm nga ajo që ka në mend adminsitratori i Kosovës. Ajo që parashikon administratori i Kosovës, dhe ajo që parashikojmë ne është se në Vjenë do të zhvillohet vetëm ceremonia e hapjes së bisedimeve me përfaqësues të lartë të të dyja palëve që do të shënojë fillimin e procesit, bisedimet e mëpasme nuk do të zhvillohen në Vjenë por në vetë rajonin dhe ato mund të jenë bisedime mes ekspertëve teknikë të fushave të ndryshme për çështje shumë praktike si rryma elektrike apo komunikacioni e sektorë të tjerë të kësaj natyre për të përmirësuar jetesën e banorëve në Kosovë. Ky proces do të vazhdojë për aq kohë sa u duhet palëve për të vendosur një nivel të mirë dialogu dhe për të gjetur zgjidhje praktike. Pra takimi i Vjenës është një ngjarje një ditore.

Zëri i Amerikës: Cila është politika amerikane ndaj Kosovës? Ditët e fundit, gjatë vizitës së Shefit të Shtatmadhorisë Amerikane, Gjeneralit Riçard Majers në Ballkan, pati njoftime se Shtetet e Bashkuara po rishqqyrtojnë angazhimin e tyre në operacionet paqeruajtëse në Kosovë dhe Bosnje. Në shtypin shqiptar në Kosovë pati reagime negative ndaj këtij njoftimi. A eksiston mundësia që Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga Kosova?

Larry Rossin: Unë nuk i kam parë komentet e shtypit shqiptar. Por ajo që dua të theksoj është se presidenti Bush e ka bërë të qartë dhe komentet e gjeneralit Majers ishin në kontekstin e politikës së presidentit se Shtetet e Bashkuara shkuan në rajon së bashku me aleatët dhe ne do të largohemi nga rajoni së bashku me aleatët. Ne duam të përshpejtojmë ditën kur të jenë krijuar kushtet e duhura që largimi i komunitetit ndërkombëtar nga rajoni të shërbejë për forcimin e qëndrueshmërisë atje. Pra disa nga komentet të cilat ju iu referuat, që mund t’i marrë me mend, ndonëse nuk i kam lexuar, mund të jenë pak të ekzagjeruara dhe i kanë thjeshtëzuar komentet e Gjeneralit Majers ose mund të kenë të bëjnë me spekulimet që janë parë në shtypin evropian por edhe në atë amerikan.

Zëri i Amerikës:Një pyetje për Shqipërinë. Siç e dini në këtë vend do të zhvillohen zgjedhjet vendore së shpejti, më 12 tetor. Si i shohin Shtetet e Bashkuara këto zgjedhje? Ka patur mosmarrëveshje midis partive në pushtet dhe opozitës për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe njoftime të ndryshme për kandidatë që mund të kenë lidhje me krimrin e organizuar. Pra si e shikojnë Shtetet e Bashkuara situatën në përgjithësi në prag të zgjedhjeve?

Larry Rossin:Në përgjithësi në Shqipëri është bërë përparim i mirë për të krijuar një klimë politike normale dhe demokratike në të cilën zgjedhjet të jenë transparente, të karakterizohen nga debati rreth problemeve dhe jo aspekteve personale. Megjithatë ka shqetësime që kanë lindur. Ju përmendët dy prej shqetësimeve kryesore. Në bisedimet tona me autoritetet e qeverisë shqiptare u kemi ngritur shqetësimet tona që i gjithë procesi nga fillimi deri në fund të jetë sa më transparent dhe sa më pak i debatueshëm që të jetë e mundur. Pra që përparimi që është arritur në Shqipëri vitet e fundit për konsolidimin e demokracisë të mos dëmtohet nga kundërshtimi dhe mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG