Lidhje

Debati mes kandidateve demokrate, prova e pare per gjeneralin Clark - 2003-09-26


Ish-komandanti i NATO-s Wesley Clark, doli të enjten për herë të parë në një debat presidencial, së bashku me 9 kandidatët e tjerë demokratë. Zoti Clark e kritikoi ashpër Presidentin Bush për një politikë të pakujdesshme në uljen e taksave dhe luftën në Irak.

Analistët e konsideruan debatin si provën e parë të vërtetë për gjeneralin në pension, për të cilin hyrja në garën presidenciale këtë muaj, ishte edhe hyrja e tij për herë të parë në politikë.

Vetëm nëntë ditë pasi shpalli kandidaturën si demokrat, gjenerali në pension, Wesely Clark, gjatë debatit me kandidatët e tjerë në debatin televiziv, i përqendroi kritikat tek presidenti Bush:

“Ne zgjodhëm një president për të cilin mendonim që ishte një konservator i dhimbsur. Por në fakt nuk pamë as konservatorizëm, as dhimbsuri. Ne pamë një njeri që i shkurtoi taksat fare pa kujdes, që na çoi në luftë në Irak pa e vrarë mendjen”.

Gjenerali Clark që para disa ditësh u kritikua nga rivalët John Kerry dhe Howard Dean pasi kishte votuar pro republikanëve Ronald Reagan dhe Richard Nixon, i qëndroi besnik qëndrimit të tij. “Unë jam pro së drejtës së gruas për të zgjedhur abortin, pro favorizimit të pakicave, pro mjedisit, pro shëndetit. Unë besoj se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me aleatët dhe të jenë lojtarë të mirë në komunitetin ndërkombëtar. Ne duhet ta përdorim forcën vetëm si zgjidhje të fundit. Prandaj jam krenar që jam demokrat”, tha ai.

Debati i tretë demokrat brenda këtij muaji ishte i pari ku gjenerali në pension Clark u paraqit para gjithë vendit, që hyri në garë javën e kaluar i shoqëruar nga një publicitet i madh mediash, por me shpejtësi u ngjit në krye të listës në sondazhet e fundit kombëtare, megjithëse qëndrimet e tij për ekonominë dhe çështje të brendshme janë ende pothuajse të panjohura. Karriera ushtarake e zotit Clark u konsiderua si avantazh që do të bënte që ai ta sfidonte drejtpërdrejt Presidentin Bush në fushën e sigurisë kombëtare. Ndërsa në debat dolën në pah mosmarrëveshje të thella mes kandidatëve përsa u takon taksave dhe tregëtisë, ish-komandanti i NATO-s kërkoi falje disa herë që nuk kishte përgatitur një plan të plotë për këto çështje. Megjithatë zoti Clark qe në gjendje të përgjigjej për disa prej tyre. “Për tetë ditë unë kam bërë një plan më të mirë për hapjen e vendeve të punës, sesa Presidenti Bush në tre vjet në këtë vend. Dhe do të funksionojë, është një plan i mirë dhe ne duhet të përqendrohemi në krijimin e vendeve të punës”, tha ai.

Kritikat ndaj presidentit Bush dhe administratës së tij ishin e vetmja gjë e përbashkët mes kandidatëve dhe sulmet më të ashpra u drejtuan kundër tij.

“Ka një mungesë besimi në ekonominë amerikane, dhe pjesërisht kjo ndodh nga kultura e grykësisë dhe papërgjegjshmërisë dhe fakeqësisht në krye qëndron Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ai po e fut qeverinë tonë në një borxh të tmerrshëm. Administrata e tij u ka bërë favoreve, disa kontratabe të posaçme”, tha Senatori Joseph Lieberman duke iu referuar skandaleve në botën e biznesit.

Debati që ishte organizuar për t’u përqendruar kryesisht tek çështjet ekonomike u mbajt në Manhattenin e poshtëm, pranë distriktit financiar dhe vendit ku ishin më parë Kullat Binjake.//kk//

XS
SM
MD
LG