Lidhje

Amerika nuk pa pasur ndonjehere nje presidente amerikane femer - 2003-09-27


Në Shtetet e Bashkuara, për vite me radhë, duke filluar që nga shekulli i 19-të, shumë gra kanë vënë kandidaturën për poste të ndryshme publike, nga ato më të ulëtat deri tek posti i presidentit. Por, ndërsa shumë gra kanë fituar poste të ndryshme, si kryetare bashkie, guvernatore, madje edhe anëtare të kongresit amerikan dhe të gjykatës së lartë, asnjë grua nuk është zgjedhur deri më sot në postin e presidentit.

Sipas kushtetutës amerikane, çdo person i lindur në Amerikë mund të bëhet president. Disa gra kanë konkuruar për këtë post. Në vitin 1872 dhe më 1892, Victoria Woodhull ishte kandidate e Partisë për të Drejta të Barabarta. Me kalimin e viteve, mes kandidateve femra për president, përveç atyre që kanë kandiduar kohët e fundit, ka qënë edhe Leonora Fulani e Partisë Aleanca e Re Amerikane. Por, këto gra u emëruan nga parti të vogla dhe asnjera nuk kishte me të vërtetë mundësi për të fituar.

Këtë javë, Carol Moseley Braun filloi zyrtarisht fushatën për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në vitin 1992, ajo hyri në histori si gruaja e parë zezake e zgjedhur në senatin amerikan. Tani ajo është e vetmja femër mes 10 kandidatëve demokratë për president.

Historianët thonë se një grua shërbeu si presidente për një kohë të shkurtër në vitin 1919. Edith Galt Wilson ishte bashkëshortja e presidentit Woodrow Wilson. Për 6 muaj ai ishte shumë i sëmurë. Gjatë asaj kohe, zonja Wilson kontrollonte hyrjen e personave tek presidenti si edhe kohëzgjetjen e qendrimit të tyre. Ajo lexoi të gjitha dokumentat e tij dhe vendosi se cilat prej tyre do t’i jepeshin presidentit për shqyrtim. Më vonë ajo shkrunte se mjeku i presidentit mendonte se kjo mënyrë do ta ndihmonte atë të shërohej. Presidenti Wilson u largua nga detyra në përfundim të mandatit të tij në vitin 1921.

Sot, ekspertët thonë se çështja nuk është nëse amerikantë do të zgjedhin një grua presidente, por kur. Disa presin që Partia Demokrate të emërojë senatoren e New Yorkut, Hillary Clinton, brënda 10 vjetëve të ardhshëm. Edhe senatorja e Karolinës së Veriut, Elizabeth Dole, është emëruar si kandidate e mundshme presidenciale e Partisë Republikane.

//ze//

XS
SM
MD
LG