Lidhje

Administrata amerikane mbron informacionin e zbulimit për Irakun - 2003-09-28


Shtëpia e Bardhë dhe agjencia qëndrore e zbulimit CIA hodhën poshtë pretendimet se lidhur me programet e armëve irakiane u përdorën informacione të vjetëruara për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake.

Këshilltarja amerikane e sigurimit kombëtar Condoleezza Rice tha sot se presidenti Bush mori informarionin e ri lidhur me armët irakiane në momentet para luftës.

Në përgjigje të kritikave të ashpra të Kongresit mbi cilësinë e informacionit amerikan të zbulimit, mbi të cilin u bazua administrata kur mori vendimin për të filluar luftën, Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Condoleeza Rice thotë se Shtetet e Bashkuara i kishin të gjitha arsyet të besonin se ish-udhëheqësi irakian Sadam Husein vazhdonte përpjekjet për të zotëruar armë të shkatërrimit në masë.

Gjatë një emision në stacionin televiziv Fox, zonja Rice u pyet lidhur me njoftimet e shtypit ku citohej një letër nga anëtarë me peshë të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve dërguar drejtorit të CIA-s, ku thuhej se informacioni mbi armët e Irakut ishte “fragmentar” dhe i bazuar kryesisht në vlerësime të vjetra të bëra pas ikjes së inspektorëve ndërkombëtare të armëve në vitin 1998. “Asgjë nuk linte të kuptohej se Sadam Huseini po hiqte dorë nga përpjekjet shumë aktive për të shtënë në dorë armë të shkatërrimit në masë. Ishte shumë e qartë që ky program kishte vazhduar dhe ishte një rrezik gjithnjë në rritje”.

Ndërkohë kryeinspektori amerikan i armëve David Kay po përgatit një raport të brendshëm mbi përpjekjet për të gjetur prova për armët e ndaluara në Irak. Zonja Rice thotë se nuk ka shumë shanse që raporti të përmbajë zbulime të rëndësishme lidhur me armët e shkatërrimit në masë, por se çdo lloj përfundimi do të bëhet publik.

Sekretari i Shtetit shpreh pasiguri për mbështetjen e aleatëve për rezolutën e re

Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell thotë se zyrtarët pritet të paraqesin një projekt-rezolutë të re për Irakun në Kombet e Bashkuara, pas dy ditësh por nuk është i sigurt nëse ajo do të sigurojë përkrahje ushtarake të konsiderueshme nga ana e aleatëve.

Zoti Powell tha të dielën në një intervistë me kanalin televiziv ABC se pak vende janë të përgatitura të dërgojnë trupa për të përforcuar përpjekjet e sigurisë dhe për të ndihmuar në rindërtimin e Irakut. Ai tha se bisedimet për forca të mundshme janë zhvilluar tashmë me Turqinë, Pakistanin dhe Korenë e Jugut.

Nuk është e qartë se kur do të votojnë Kombet e Bashkuara për rezolutën e re, pasi ajo të paraqitet. Zoti Powell tha se është e rëndësishme që të veprohet shpejt për rezolutën e OKB-së, para takimit të muajit të ardhshëm të vendeve dhuruese, ku zyrtarët amerikanë do të kërkojnë përkrahje ndërkombëtare në Irak.

Disa vende dhe organizata ndërkombëtare presin që të miratohet rezoluta e re, para se të japin trupa dhe fonde.//kk//

XS
SM
MD
LG