Lidhje

Skandali i kreut te burses se New Yorkut trondit boten e Wall Streetit - 2003-09-28


Para disa ditësh kreu i Bursës së New Yorkut, Richard Grasso u detyrua të japë dorëheqjen, pas u bë publik fakti se paketa e tij e pagesës arrinte deri në 190 milionë dollarë në vit, një shumë e konsideruar e tepruar edhe sipas standardeve të Wall Streetit.

Bursa 211 vjeçare e New Yorkut është tregu më i madh dhe më me ndikim i aksioneve në botë. Richard Grasso, 57 vjeç fitoi respekt për udhëheqjen e tij kur e rivuri në punë bursën, vetëm pak ditë pas sulmit të tmerrshëm në Qendrën Botërore të Tregëtisë aty pranë, para dy vjetësh.

Por edhe shpërblimi i tij për këtë arritje ishte i konsiderueshëm. Këtë muaj u bë publik fakti se zoti Grasso mori një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për punën e tij pas katastrofës së 11 shtatorit. Por të paktën për zotin Grasso, ajo nuk ishte një shumë edhe aq e madhe, duke patur parasysh se gjithsej shuma e kompensimit të tij ishte afro 190 milionë dollarë.

Mike Donnally, një analist i firmës konsultative ekonomike, Global Insights në Filadelfia thotë se në tregun e aksioneve kishte konflikt interesash të dëmshëm. Paga e zotit Grasso, thotë ai ishte përcaktuar nga një komision drejtuesish të kompanive që janë nën mbikqyrjen e bursës.

“Për shembull Dick Grasso është në bordin e (dyqaneve) Home Depot. Ndërkohë, Presidenti i Home Depot është në bordin e Bursës së New Yorkut. Kështuqë praktikisht ata përcaktojnë pagën e njëri-tjetrit”.

Shefi i ri i përkohshëm, John Reed thotë se do ta zvogëlojë numrin e drejtorëve të bordit të bursës nga 27 që janë tani në 10 ose 12. Reforma të tjera synojnë ndarjen e funksioneve mbikqyrëse dhe administrative të bursës.

Zoti Donnalli i Global Insights thotë se paga e zotit Grasso reflekton hendekun në rritje mes pagesave të drejtuesve ekzekutivë me ato të punonjësve të zakonshëm.

“Para 30 vjetësh paga mesatare e një drejtuesi ekzekutiv ishte rreth 40 herë më e madhe sesa ajo e punonjësit të mesëm, ose atij me pagë të ulët. Tani është bërë 400 herë më e lartë dhe vazhdon të rritet. Kështuqë mes niveleve të pagesave në Shtetet e Bashkuara, pabarazia është në rritje”.

Pastaj është edhe problemi i etikës. Paga e madhe e zotit Grasso jo vetëm që nuk ishte e njohur për publikun, por mesa duket atij i dukej që një kompensim i tillë ishte i përshtatshëm. Rick Malone, një menaxher parash dhe agjent i bursës në periferi të Washingtonit, thotë se dështimi lidhur me pagën e zotit Grasso tregon se bordi i drejtorëve nuk po e bën ashtu siç duhet punën e vet.

“Ishte një rrjet burrash në moshë ku ata mblidhen bashkë, pinë dhe i rrahin shpatullat njëri-tjetrit. Ata mblidhen katër herë në vit për të bërë një gjë të tillë dhe merrnin një kompensim të bollshëm për këtë. Në të ardhmen nuk do të ketë shumë gjëra të tilla. Por ndoshta pas 10 vjetësh, pasi të jetë harruar ky skandal, gjithçka do të kthehet aty ku ishte”.

Largimi i zotit Grasso ka patur një farë ndikimi edhe në fushatën presidenciale. Kandidati demokrat Joseph Lieberman thotë se në vend që të japë një shembull udhëheqjeje etike për tregun që ai mbikqyr, me sjelljan e tij, zott Grasso ka lëkundur besimin e investitorëve dhe themelet e bursës. //kk//

XS
SM
MD
LG