Lidhje

Intervistë me Presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu - 2003-09-29


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu shprehu besim se problemet që kanë lindur në fushatën për zgjedhjet vendore do të kapërcehen. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, ai tha se forcat politike janë ndërgjegjësuar se nuk mund të vazhdohet më në zgjedhje me mënyrat e mëparshme. Presidenti Moisiu ishte në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si dhe për takime me komunitetin shqiptar të Nju Jorkut dhe Detroitit. Ai u intervistua nga Zëri i Amerikës para se të largohej nga Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju keni thënë se statusi i Kosovës nuk mund të shtyhet pafundësisht. Çfarë ju shqetëson që keni bërë një deklaratë të tillë?

President Alfred Moisiu: Shtyrja pafund e statusit të Kosovës, të cilën ia përmenda në mënyrë të veçantë edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zotit Kofi Annan, krijon hapësirë për veprimin e ekstremistëve të të dy krahëve; krijon hapësira për ngjarje të reja të papëlqyeshme, të cilat mund të na krijojnë situata që do të jetë vështirë të menaxhohen. Prandaj, standardet duhen, por edhe duhet qartësuar mirë se çfarë duhet arritur dhe deri kur. Në të njëjtën kohë duhet punuar për statusin sepse ai nuk mund të shyhet në pafundësi. Kjo është e rrezikshme.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju keni folur vazhdimisht për rëndësinë e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, i keni quajtur ato madje pasaporta e Shqipërisë për në Evropë. Megjithatë, ju keni shfaqur shpresën se ato do të zhvillohen me sukses. Çfarë ka ndryshuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara në Shqipëri që ju bën të shpresoni?

President Alfred Moisiu: Në radhë të parë, parlamenti shqiptar ka miratuar një kod të ri zgjedhor, ku është pasqyruar gjithë përvoja, negative dhe pozitive e zgjedhjeve të kaluara nën mbikqyrjen e OSBE-së. Së dyti duhet të them se vetë forcat politike janë ndërgjegjësuar se nuk mund të vazhdohet më në zgjedhjet me mënyrat e mëparshme. Sigurisht, unë së bashku me gjithë prezencën ndërkombëtare në Tiranë, jemi duke punuar që këto gjëra të kuptohen sa më drejt dhe sa më mirë. Është e vërtetë se kanë lindur disa probleme kohët e fundit, por unë shpresoj që ato probleme do të kapëcehen sepse është në të mirë të Shqipërisë në radhë të parë. Disa gjëra do të ishte mirë që të mos kishin ndodhur sepse ato në fakt i kanë ulur kredencialet e vendit tonë. Megjithatë deri në zgjedhje, kam bindjen se politika shqiptare do t’i kapërcejë problemet dhe do të hyjë në zgjedhje normalisht ashtu siç duhet, në mënyrë të tillë që me gjithë mend t’i tregojmë opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar se Shqipëria di të bëjë zgjedhje, se Shqipëria i njeh rregullat e lojës dhe se politika shqiptare do ta çojë vendin drejt demokracisë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, shumë biznesmenë shqiptaro-amerikanë e shohin pak me skepticizëm investimin në Shqipëri për shkak të korrupsionit. Cili është komenti juaj?

President Alfred Moisiu: Është e vërtetë, korrupsioni është një problem tek ne. Është bërë një luftë e organizuar por dua të them që akoma është e pamjaftueshme. Këtë me keqardhje e pranoj. Në të njëjtën kohë duhet të them se këto zgjedhje kanë edhe këtë rëndësi: se realizimi i tyre me sukses, në mënyrë që vota e qytetarit të shkojë pikërisht atje ku ai e hedh dhe jo atje ku do dikush, do të jenë gjithashtu një barrierë e fuqishme në luftën kundër korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, shumë të rinj të talentuar e kanë lënë vendin, siç e dini edhe ju. Cila do të ishte këshilla juaj për ta, por jo vetëm këshilla; çfarë do t’u ofronte atyre shteti shqiptar në mënyrë që ata të mund të kthehen?

President Alfred Moisiu: Sigurisht, ne jemi një vend që kemi hyrë në ekonominë e tregut dhe në ekonominë e tregut vendi ka shumë pak mundësi të ofrojë, sepse vendet e punës janë aq sa janë. Por në radhë të parë shteti shqiptar duhet t’u ofrojë këtyre njerëzve që studiojnë ose kanë studiuar jashtë por edhe brenda vendit, mundësinë e një konkurrimi të ndershëm: që ai i cili është më i afti, të zerë vendin. Së dyti, sigurisht është mirë që të ndikohet edhe në biznesin privat, i cili nuk është aq i vogël tek ne, përkundrazi po merr përmasa, që të thithë këtë fuqi të kualifikuar djemsh dhe vajzash të reja të cilët mund të kontribuojnë dhe duhet të kontribuojnë sa të jetë e mundur.

Zëri i Amerikës: Zoti President, vumë re gjatë takimeve tuaja me shqiptaro-amerikanët, se ju i këshilluat ata që të mos pasqyrojnë mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë në organizimin e tyre shoqëror apo politik në Shtetet e Bashkuara. Ç’donit të thoshit me këtë?

President Alfred Moisiu: Unë ua thashë atyre shumë thjesht. Nëqoftëse në Shqipëri vërtet ka luftë politike sepse luftohet për pushtet, këta këtu nuk kanë çfarë bëjnë. Këta kanë secili biznesin e vet, punën e tyre dhe detyra e tyre është të ruajnë kujtimet e mira për Shqipërinë, të zhvillojnë traditën, kulturën, zakonet e mira dhe njëkohësisht, brenda mundësive, të përpiqen të investojnë në vendin e tyre atje ku kanë eshtrat e gjyshërve dhe të stërgjyshërve të tyre.//ii

XS
SM
MD
LG