Lidhje

Shtëpia e Bardhë mohon cdo lidhje me dhenien e emrit te një oficereje të CIA-s - 2003-09-30


Drejtori i CIA-s, George Tenet, kërkon që Departamenti i Dejtësisë të hetojë nëse ndonjë zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e ka bërë të njohur për shtypin emrin e njërës prej agjentëve të agjencisë së tij.

Gazeta Washington Post njofton se emri i agjentes iu dha të paktën 6 gazetarëve në Washington në muajin korrik, pasi bashkëshorti i saj, ish-ambasadori amerikan, Joseph Wilson, vuri publikisht në dyshim pretendimin e Presidentit Bush që Iraku ishte përpjekur të blinte uranium në Afrikë.

Zoti Bush e pati shprehur një gjë të tillë në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit dhe njoftimet i mëvonshme se ky pretendim i tij ishte mbështetur në dokumenta të sajuara, çoi në një seri pikëpyetjesh në lidhje me përdorimin e raporteve të zbulimit nga ana e administratës për të justifikura ndërhyrjen në Irak.

Ambasadori Wilson thotë se dyshon që këshilltari i lartë politik i Persidentit, Karl Rove, ka gisht në zbulimin e emrit të bashkëshortes së tij për organet e shtypit. Ai thotë se nuk e di nëse zoti Rove ka qenë burimi i këtij informacioni, por beson se këshilltari prej një kohe të gjatë i presidentit Bush ka lejuar me vetëdije që një informacion i tillë të bëhet publik.

Nxjerrja me qëllim e emrit të një agjenti të fshehtë përbën shkelje të ligjit federal e ndëshkohet me deri në 10 vjet burg dhe 50 mijë dollarë gjobë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se të sugjerosh se zoti Rove është përzier në një çështje të tillë, është qesharake. Zoti McClellan tha se kishte folur me zotin Rove, i cili personalisht e siguroi se nuk ka të bëjë fare me këtë gjë.

”Thjeshtë, nuk ka asgjë të vërtetë në këtë sugjerim dhe unë kam folur me Karlin për këtë”.

Zoti McClellan tha se publikimi i një informacioni kaq sekret nuk është në stilin e Shtëpisë së Bardhë.

”Presidenti mendon se zbulimi i informacionit sekret për shtypin është një çështje tepër serioze dhe duhet të ndiqet deri në fund nga agjencia përkatëse dhe kjo agjenci është Departamenti i Drejtësisë”.

Zoti McClellan tha se nuk ka parë ndonjë provë që Shtëpia e Bardhë të jetë përfshirë në këtë çështje përveç asaj që ka dëgjuar nga mjetet e informimit. Ai thotë se askush nga Departamenti i Drejtësisë nuk e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të hetuar, por nëse departamenti vepron kështu, zoti McClellan tha se administrata do të bashkëpunojë në çdo mënyrë.

Disa ligjëvënës demokratë kanë bërë thirrje për caktimin e një hetuesi të posaçëm për ta shqyrtuar çështjen, pasi ata mendojnë se Departamenti i Drejtësisë nuk është aq i paanshëm kur është fjala për të hetuar mbi Shtëpinë e Bardhë. Vendimi varet nga Sekretari i Drejtësisë, John Ashcroft.

Zoti McClellan nuk mendon se një hetues i tillë i pavarur është i domosdoshëm, pasi, thotë ai, presidenti ka besim se Departamenti i Drejtësisë do ta zbulojë se ç’ka ndodhur.

//ze//

XS
SM
MD
LG