Lidhje

Këshilli Qeverisës Irakian: hartimi i kushtetutës, të paktën 1 vit - 2003-09-30


Zyrtarë irakianë thonë se për të hartuar kushtetutën e re të vendit mund të duhet të paktën një vit, dyfishi i afatit gjashtë mujor që kanë caktuar Shtetet e Bashkuara.

Anëtarë të Këshillit Qeverisës Irakian thanë dje se nuk është e mundur që kushtetuta e re të hartohet dhe të miratohet brenda 6 muajsh për shkak se anëtarët e komisionit përkatës nuk mund të bien dakord mbi një numër çështjesh të rëndësishme, si për shembull roli i ligjit islamik.

Anëtarë të Këshillit Qeverisës Irakian u kërkuan gjithashtu ligjvënësve amerikanë që fondet për rindërtimin e Irakut të jepen në formë dhurate dhe jo borxhi. Kryetari i përkohshëm i Këshillit, Ahmad Chalabi, u tha senatorëve në Washington se një shumë e tillë borxh do të ishte një barrë shtesë për popullin irakian.

Ndërkohë, Konferenca Islamike mirëpriti formimin e Këshillit Qeverisës të Irakut dhe bëri thirrje që anëtarët e regjimit të përmbysur të Sadam Huseinit të nxirren para drejtësisë.

Organizata me 57 vende anëtare e mbledhur në New York në të njëjtën kohë me sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare që të sigurojnë mbështetje dhe ndihmë për të përmbushur nevojat e Irakut, si ato ekonomike ashtu edhe ato të infrastrukturës.

Konferenca Islamike ka dënuar vrasjet masive të irakianëve, iranianëve dhe kuvajtianëve nga anëtarë të regjimit të Sadam Huseinit.

//ze//

XS
SM
MD
LG